Forumi Rinor i Alternativës: Masakra e Reçakut nuk duhet harruar
Forumi Rinor i Alternativës dje ishte pjesë e delegacionit të lartë partiak, që bëri homazhe me rastin e shënimit të përvjetorit të Masakrës së Reçakut.
Përfaqësuesi i Forumit Rinor, Adem Jashari, tha me këtë rast se shqiptarët në kujtesën e tyre kolektive duhet ta mbajnë mend këtë ndodhi të rëndë, por që i dha shtytje të madhe çlirimit të Kosovës nga pushtuesi serb.
Jashari tha se “ne si shqiptarë por edhe populli i Kosovës këtu e kemi harruar luftën edhe pse nuk kanë kaluar shumë vite, pra vetëm 20 vite. Ndërsa edhe në histori thuhet se nëse harrojmë, gjithçka mund të na përsëritet”.
Përfaqësuesi i Forumit Rinor të Alternativës gjithashtu u bëri apel institucioneve të Kosovës që sa më shumë të bëhet dokumentimi zyrtar i të gjitha ndodhive që kanë të bëjnë me luftën për çlirim. “Gjëja tjetër që duhet të bëjë shteti i Kosovës, mendoj se është nevoja për të dokumentuar gjithçka që është bërë në luftë. Unë si i ri, nuk kam mundur të gjej askund asgjë në asnjë libër të historisë. Nuk kam parë thuajse asnjë dokumentar i cili flet se realisht çfarë ka ndodhur në luftën e Kosovës”, u shpreh Jashari.
Gjatë ditës së djeshme, një delegacioni i lartë i Alternativës, me në krye kryetarin Afrim Gashin, mori pjesë në homazhet për dyzetepesë shqiptarët e paarmatosur që u masakruan mizorisht nga policia dhe ushtria barbare serbe më 15 janar të vitit 1999 në Reçak.