AlternAtivA: “Ngrirja e çmimeve” po i dëmton edhe qytetarët dhe prodhuesit

Këto ditë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së bashku me kryeministrin Kovaçevski po bëjnë një shou-televiziv duke luajtur edhe rolin e inspektorëve të tregut, ndërkohë që harrojnë se ata që e pësojnë nga sjellja e tyre janë pikërisht qytetarët. Analizat tona tregojnë se e “ngrirja e çmimeve” është vetëm masë populiste dhe po bëhet për efekte parazgjedhore, ndërsa nuk e zbut standardin e jetesës. Deklarata e ministrit se “kursimi është vetëm 2.500 denarë për familje”, edhe pse kjo shumë e kursimeve është më pak se 2.500 denarë nga llogaritjet e ushqimeve bazë që nga ngrirja deri në 10%, nuk i zvogëlon shpenzimet e shportës së konsumit, e cila është më e larta nga të gjitha vendeve e rajonit.
Pavarësisht marketingut të dobët të drejtuesve të qeverisë, jeta e qytetarëve po rëndohet çdo ditë. Sipas të dhënave të fundit të zyrës së statistikave, si rezultat i politikave të dobëta fiskale, inflacionit të lartë dhe çmimeve enorme të produkteve bazë, përkundër masave populiste, ngrirja e çmimeve nuk po jep efektin e duhur.
Një problem tjetër janë tregtarët e fruta-perimeve. Sipas disa raportimeve, ata blejnë nga prodhuesit vendas dhe më pas i shesin ato jashtë vendit, ndërsa qytetarët tanë ato produkte i paguajnë me çmime shumë më të larta. Këtu shtrohet pyetja se pse atëherë jepen subvencionet shtetërore nëse ato nuk u shërbejnë qytetarëve tanë? Kështu nga politikat e gabuara ose politikat e dedikuara për përfitimet e oligarkëve tregtarë që e kontrollojnë tregun, ata po përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
Në të vërtetë, rritja e prodhimit të brendshëm bruto prej 1.1 % është tregues i stagnimit të zhvillimit ekonomik në vend. Stagnimi i dukshëm i investimeve kapitale, por edhe i investimeve të huaja direkte, ka një ndikim të madh në varfërinë e qytetarëve, edhe pse këto investime të huaja direkte, sipas të dhënave zyrtare, kanë një rritje në krahasim me periudhën paraardhëse. Kështu borxhi i jashtëm publik vijon të rritet ndjeshëm. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nga të dhënat për këtë vit flasin për një rritje të mëtejshme të detyrimeve ndaj kreditorëve të jashtëm për të marrë hua nga huadhënësit e huaj. Maqedonia e Veriut tashmë është në një nivel kritik me borxhin e jashtëm, që arrin në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 8 miliardë euro, pa përfshirë borxhin e brendshëm.
Kjo është arsye që AlternAtivA i bën thirrje Ministrisë së Ekonomisë që të heqë dorë nga marketingu dhe ta ketë parasysh interesin e qytetarëve dhe të prodhuesve vendorë, sepse ata paguhen nga taksat e qytetarëve tanë dhe askujt nuk i detyrohen më shumë se qytetarëve të vendit tonë.
Shkup, 28.09.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *