AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike: Pse u ndalohet mësimi në gjuhën amtare nxënësve shqiptarë të Idrizovës?

AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike: Pse u ndalohet mësimi në gjuhën amtare nxënësve shqiptarë të Idrizovës?

Nxënësve shqiptar në f. Idrizovë, në Shkollën Fillore “Njegosh”, ku nxënësit shqiptarë po e bojkotojnë mësimin, ende nuk u lejohet të mësojnë në gjuhën amtare shqipe.
Edhe pse e drejtë e garantuar me kushtetutë e me çdo konventë ndërkombëtare, nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ende përballen me probleme esenciale, si ajo e nxënies së mësimit në gjuhën e tyre amtare. Përveç që është e dhimbshme të shohësh fëmijët dhe arsimin shqip të katandisur në këtë mënyrë, është irrituese se pse ende nuk është marrë një masë për tejkalimin e kësaj situate.
Asnjë justifikim objektiv nuk është i mjaftueshëm për ta racionalizuar këtë nevojë elementare të nxënësve shqiptarë. Ndoshta për Ali Ahmetin ka mbaruar koha e patriotizmit, por patriotizmi i tij i rrejshëm nuk shërbeu gjë as për më shumë se 20 vite, që të gjithë shqiptarët të mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa dëshmi për këtë janë nxënësit e Idrizovës sot, të Velesit dje, të Manastirit pardje e kështu e radhë. Ndërkohë që ministrat e Arsimit të partisë së tij vijnë e shkojnë, nxënësit shqiptarë të drejtën kushtetuese për mësim në gjuhën shqipe akoma nuk e gëzojnë. Në të vërtetë, se Ahmetit nuk i ka interesuar kurrë në të vërtetë gjuha shqipe, për këtë është dëshmi edhe mospranimi i amendamentit tonë për emërtimin e drejtë të gjuhës shqipe në kushtetutë.
Megjithatë, kur jemi këtu dëshirojmë të pyesim se si ndjehen sot pseudopatritotët e BDI-së kur i shohin nxënësit shqiptarë në rrugë në pamundësi për ta ndjekur mësimin në gjuhën amtare? Sa ia vlejtën thirrjet patriotike dhe qeverisja dydekadëshe për ta përmirësuar situatën e palakmueshme për nxënësit shqiptare? A është ngopur qeveria me pamje të tilla të nxënësve dhe a e ka ndër mend të veprojë ndonjëherë në të mirë të arsimit?
Sidoqoftë, ne – partitë opozitare shqiptare – e ngremë shqetësimin tonë për këtë çështje dhe kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe nga Komuna e Gazi Babës që sa më shpejt të ofrojnë zgjidhje për këtë problem. Në të kundërtën, pasojat do i bartin vetë ata.

 

Shkup, 28.09.2023


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *