AlternAtivA: Interesi i qytetarëve është mbi interesin e përmbaruesve

Të nderuara media, të dashur qytetarë
Konferencën e sotme për media e kemi ftuar në lidhje me Ligjin për marrëdhënie obligative dhe Ligjin për përmbarues, të cilët u miratuan nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me këtë rast po shpjegojmë se ndryshimi i Ligjit për marrëdhënie obligative, që ka të bëjë me kamatën e vonesës, ishte propozim i Alternativës dhe pjesë e marrëveshjes me të cilën ne hymë në qeveri më 2021, andaj na vjen mirë që më në fund u realizua edhe një pjesë e pikës sonë programore sa ishim në qeveri, e që ishte që shuma e kamatës të mos e kalojë shumën e borxhit. Po ky akt është bartur edhe në Ligjin për përmbarues, një veprim ky që i lehtëson qytetarët që përballen me këtë problematike.
Sidoqoftë, dëshirojmë ta njoftojmë opinionin se në lidhje me Ligjin për përmbarues AlternAtivA ka propozuar edhe ndryshimin e 6 neneve të tjera për të cilat fillimisht kishim dakordim me LSDM-në, me çka do t’i lehtësonin dukshëm qytetarët, të cilët përballen me procedurën e përmbarimit. Por, si duket, propozimet tona të tjera u paskan shkaktuar probleme eksponentëve të caktuar, të cilët edhe vetë janë të përfshirë në veprimtari përmbaruese.
Duke pasur parasysh krizat me të cilat u përballën qytetarët, siç ishte pandemia COVID-19, rritja e çmimeve dhe kriza e përgjithshme ekonomike, dëshirojmë ta njoftojmë opinionin se sa i përket kësaj veprimtarie kemi pasur dakordim që ta kalojmë një ligj me të cilin do të faleshin kamatat që i kanë qytetarët dhe do të riprogramoheshin borxhet në raport me ndërmarrjet publike dhe operatorët e tjerë ekonomikë. Propozim-ligjin e kemi dërguar tek ish partnerët e koalicionit, të cilët u zotuan se do ta vendosin në procedurë parlamentare, por si parti që nuk u bën përshtypje shkelja e marrëveshjeve, LSDM-ja as këtë pjesë të propozimit nuk e ka impelementuar.
Pavarësisht kësaj, AlternAtivA – përmes deputetëve të saj – do ta iniciojë në procedurë parlamentare Ligjin për falje të kamatave dhe riprogramimin e borxheve, sepse mendojmë se në këto kohë të vështira, nëpër të cilat kanë kaluar qytetarët, ata e kanë më se të nevojshme një lehtësim të tillë, ndërsa kështu njëkohësisht do të mundësohet edhe pagesa e këtyre borxheve, gjë që do ndikonte pozitivisht edhe te ndërmarrjet publike, si edhe te operatorët e tjerë ekonomikë. Interesi i qytetarëve është mbi interesin e përmbaruesve.
Ju faleminderit!
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 24.07.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *