Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e Ministrit Sali në procesin e integrimit evropian, me fokus në përshpejtimin e reformave të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, forcimin e rolit koordinues të Ministrisë për Çështje Evropiane, si dhe operacionalizimin e strukturave kombëtare të negociatave dhe të Reformës dhe Facilitetit të Rritjes.
Ministri Sali theksoi rëndësinë e ruajtjes së momentit pozitiv në politikën e zgjerimit të BE-së dhe nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës Reformuese, përfshirë finalizimin e dokumenteve kyçe të planifikimit dhe udhërrëfyesve në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës së administratës publike.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi dypalësh ndërmjet dy vendeve, veçanërisht mundësia e rifillimit të aktiviteteve në kuadër të Memorandumit për Përshpejtimin e Procesit të Integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, të nënshkruar në prill 2019, përmes shkëmbimit të përvojës, ekspertizës dhe njohurive në zbatimin e politikave të BE-së.
Të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit INTERREG IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Greqi, duke theksuar rëndësinë e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës publike, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e arsimit dhe inovacionit, si dhe forcimin e qeverisjes lokale dhe rajonale në zonat kufitare.
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, Ministri Sali riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave dhe për ruajtjen e harmonizimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dëshmi e orientimit strategjik evropian të vendit.
Në përfundim të takimit, Ministri Sali dhe Ambasadorja Philippidou konfirmuan gatishmërinë për vijimin e koordinimit të rregullt dhe bashkëpunimit konkret, me qëllim avancimin e agjendës evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
