Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoleur, në të cilin u diskutua për procesin e integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për kontributin konkret në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave kyçe. Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian dhe reformat e ndërlidhura do të jenë prioritet qendror në angazhimin e tij institucional.
Palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale në politikën e zgjerimit të BE-së dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit reformues, duke shfrytëzuar momentumin pozitiv në rajon. Ministri Sali riafirmoi angazhimin për forcimin e rolit koordinues të Ministrisë për Çështje Evropiane, operacionalizimin e strukturave kombëtare për negociatat dhe Agjendën e Reformave, si dhe për rritjen e absorbimit të fondeve evropiane.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe gjendja aktuale e procesit të anëtarësimit, përfshirë përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga raportet e skriningut, finalizimin e udhërrëfyesve për Sundimin e Ligjit dhe Reformën e Administratës Publike, si dhe avancimin e kërkesave që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.
Ministri Sali theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, duke ruajtur harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dëshmi e orientimit të qartë strategjik drejt anëtarësimit.
Në këtë kontekst, u vlerësua lart bashkëpunimi me “Expertise France” dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe programet mbështetëse në fushën e zhvillimit institucional dhe ngritjes së kapaciteteve të administratës publike, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në përafrimin me standardet evropiane.
Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të dialogut politik dhe bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët, përfshirë energjinë, transformimin digjital, infrastrukturën, arsimin dhe kulturën, si dhe për vazhdimin e koordinimit të ngushtë në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

