VLEN: Dështoi plani për destabilizim i treshes Levica-LSDM-BDI

Mbrëmë, me mbështetjen e madhe që mori kryetari i Kuvendit të Republikës
së Maqedonisë, Afrim Gashi, edhe një herë u dëshmua se shumica
qeveritare është stabile dhe nuk ka asnjë shenjë luhatjeje. Përveç
kësaj, kjo interpelancë e nxori në skenë edhe koalicionin e ri të
destabilizimit të vendit, Levica-LSDM-BDI.
Në të vërtetë, Levica është vetëm maja e ajsbergut dhe zëdhënëse e një
projekti më të madh të kësaj treshe, që synon destabilizimin e vendit.
Ashtu siç janë deklaruar edhe vetë më parë, ndërsa tashmë kjo po
dëshmohet edhe në praktikë, nisma e interpelancës, me aq gjuhë të
urrejtjes ndëretnike dhe ndërfetare, flet se ka një koordinim dhe
bashkëpunim mes kësaj treshe në planet e destabilizimit dhe shkaktimit
të tensioneve, pse jo edhe të incidenteve ndëretnike në Maqedoninë e
Veriut.
Megjithatë, kjo interpelancë ishte edhe një arsye më shumë që të bëhet
homogjenizimi i koalicionit VLEN, por edhe në koalicionin qeverisës,
duke dëshmuar stabilitet dhe qëndrueshmëri kundrejt planeve ogurzeza që
hartohet në kuzhina anti-NATO dhe anti-BE.
Përkundër synimit të interpelancës që të shkaktojë huti e destabilizim,
ajo ndihmoi më shumë në ndërgjegjësimin e shumicës qeveritare dhe
kohezionin e brendshëm të saj, duke dëshmuar se këto nisma janë të
dënuara me dështim.
Me këtë rast deklarojmë se koalicioni VLEN, në bashkëpunim edhe me
aleatët ndërkombëtarë, nuk do të lejojë që këto projekte destabilizuese
të marrin jetë dhe ta dëmtojnë orientimin strategjik euroatlantik të
Maqedonisë së Veriut.
Shkup, 04.09.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *