Ne e kishim thënë qysh më 2014, ndërsa e kemi përsëritur në vazhdimësi, se shteti ynë është bërë në kushte të krizave, qoftë më 1991, qoftë më 2001, andaj edhe asimetria që ekziston mes shoqërisë dhe shtetit është potencial që mund të gjenerojë kriza edhe në të ardhmen. Prandaj kemi kërkuar që në kushte të paqes, pa erë baruti, të ulemi e të diskutojmë si qytetarë dhe politikanë që e duan këtë vend dhe duan ta shohin të zhvilluar dhe me perspektivë europiane, se çfarë duhet të bëjmë që ky shtet të jetë komplementar me shoqërinë. Nëse shqiptarët janë një komunitet i ndërmjetmë, mes shumicës dhe minoriteteve të tjera, shtrohet pyetja si duhet definuar të drejtat e tyre etnike, a janë ata bashkësi etnike apo janë komb, si duhet definuar shteti kundrejt tyre dhe si duhet të ndodhë ky inkluzion shoqëror, që ashtu të sheshohen të gjitha dallimet dhe shteti të jetë koheziv dhe inkluziv. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe më tej në parimin e ridefinimit, duke qenë të bindur se kjo është në të mirë të së ardhmes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.