Ministri i Shëndetësisë nga AlternAtivA, Bekim Sali, prezantoi punën e tij njëvjeçare në krye të këtij sektori dhe prioritetet për të ardhmen.
Ministri Sali veçoi ndër të tjera disa prej shumë arritjeve të rëndësishme gjatë kësaj periudhe të shkurtër:
Pajisjen e spitaleve me aparatura moderne për diagnostikim në vlerë prej 13.6 milionë euro;
Digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore;
Përmirësimin dhe modernizimin e shëndetësisë primare.
“Mes investimeve më të rëndësishme vitin e kaluar, dua ta veçoj edhe përforcimin me aparaturë të re të diagnostifikimit në shumë institucione shëndetësore në vend, siç janë mamografë, aparatë rentgeni digjitalë, angiografë, tomografë të kompjuterizuar, pajisje për diagnostikimin Eho. Si më të rëndësishme dua ta theksoj furnizimin e aparatëve më modernë për diagnostikë në 14 institucione publike shëndetësore, të cilat po instalohen. Investimi është siguruar në bashkëpunim me Bankën Botërore, ndërsa vlera e përgjithshme është 13.6 milionë euro”, tha ministri Sali.
Puna për përmirësimin e shëndetësisë primare do të vazhdojë edhe më tej, me vizion të qartë të ministrit për ndërhyrjet që duhet bërë.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me përkrahjen e OBSh-së, filloi proces ambicioz për reformim të sistemit të shëndetësisë primare: të modernizohet, ta sjellim në epokën digjitale, të integrojmë shërbimet nga sferat e tjera të sistemit shëndetësor dhe ta riorientojmë qasjen që të fokusohet në shërbimin ndaj komuniteteve dhe pacientëve në vend se të ketë fokus vetëm shërimin e sëmundjeve”, theksoi ministri Sali.