Lidhja Europiane për Ndryshim: Disa propozime për kryeministrin teknik Talat Xhaferin

Tash, kur kryeministri teknik ia ka marrë dorën detyrës së tij teknike, Lidhja Europiane për Ndryshim dëshiron t’i propozojë atij të ndërmarrë disa hapa që mund ta ndryshojnë jo vetëm pozitën e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe gjendjen e gjithmbarshme shoqërore-politike të shtetit tonë.
Meqë disa herë jo vetëm opozita shqiptare, por edhe partitë shqiptare të pushtetit, janë deklaruar se ato duan të hiqet emërtimi ofendues për gjuhën shqipe nga kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, kjo është një mundësi e mirë që tani t’i propozojë që kjo të ndryshohet. Në këtë mënyrë ai mund të mbetet në histori dhe ta bëjë vërtet historinë.
Përveç kësaj, meqë Maqedonia e Veriut prioritetin e parë dhe më të rëndësishëm zhvillimor dhe eurointegrues e ka luftën kundër korrupsionit, kjo është një mundësi e mirë që ai gjithashtu ta propozojë edhe amendamentin për sanksionimin kushtetutes të luftës kundër korrupsionit. Kjo është një mundësi e artë që ne t’u paraprijmë vlerave europiane dhe të dëshmojmë se të gjithë jemi të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit, këtij vesi që e bren shtetin tonë.
Nëse ai mund ta bëjë këtë, ne garantojmë që me deputetët tanë do ta mbështesim propozimin e tij. Në të kundërtën do të duhet të konkludojmë se ai jo vetëm që është administrator teknik i qeverisë teknike, por edhe një shqiptar i rastësishëm.
E nëse nuk ia mban t’i bëjë dy propozimet e para, ja një detyrë më të lehtë teknike për të – le ta zgjidhë problemin e arsimit shqip në Komunën e Çashkës. Kushtetuta e garanton, ligji për arsimin fillor është i qartë, se ky është detyrim, pasqyra demografike e kësaj komune është e qartë. Mjafton vetëm që kryeministri teknik të ketë guxim dhe kjo punë kryhet.
Ja disa detyra të vogla që Talat Xhaferin mund ta bëjnë të madh!
Shkup, 12.02.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *