Sot ishte një ditë me vlerë të veçantë për Medresenë “Isa Beu” dhe për të gjithë ne.
Në këtë vatër të shenjtë të dijes, ku ndër vite janë formuar hoxhallarë dhe alima, që kanë udhëhequr e ndriçuar trojet shqiptare, bashkë me delegacionin e VLEN-it, z. Izet Mexhiti dhe z. Bilall Kasami, si dhe zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, patëm nderin të qëndrojmë pranë vlerave që na bëjnë krenarë.
Na pritën në mënyrë vëllazërore në frymën e bashkëpunimit, Kryetari i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, së bashku me Drejtorin e Medresesë, Dr. Islam Islami dhe Myftiun e Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili.
Sot nuk ishte thjesht një vizitë, por ishte një çast i shënuar ku bashkë ndamë lajmin e miratimit të projektligjit që për më shumë se 30 vite ka qenë plagë e hapur. Sot ajo plagë mbyllet. Sot drejtësia vjen në vend për këtë institucion të rëndësishëm, për nxënësit e tij, për familjet e tyre dhe për të ardhmen e kësaj shkolle.