Kryetari i Alternativës dhe njëherit njëri prej liderëve të VLEN, Zeqirija Ibrahimi ka raportuar për një vit qeverisje VLEN.
Ibrahimi ka përmendur të arriturat e kësaj qeverisje gjatë një viti si dhe ka përmendur edhe projektet dhe aktivitetet që pritet të realizohen deri në përfundim të këtij mandati.
Në mënyrë integrale po ju përcjellim fjalimin:
Sot kemi dalë para jush që në emrin tuaj të flasim për njëvjeçarin e punës sonë në qeveri, jo për ta përvetësuar punën tuaj, siç kanë qejf disa aktivistë të opozitës së hutuar shqiptare, por jemi këtu që t’i prezantojmë vetëm disa nga arritjet dhe punët e kësaj qeverie. Në të vërtetë, ajo që e raportojmë ne është meritë e secilit prej jush, por në emrin tuaj, duke qenë drejtues të këtij subjekti, kemi nderin që këtë ta bëjmë ne.
Meqë ky vit ka shënuar dhjetëra ose qindra projekte e punë, ndërsa ne jemi vetëm katër-pesë folës për të folur për to dhe kemi mundësi të flasim jo më shumë se nga 10 minuta secili, u morëm vesh që të flasim gjithkush diçka e nga pak, sa për ta bërë një paraqitje të përgjithshme se çfarë ishte VLEN-i në këtë njëvjeçar.
E, sipas një logjike të gjërave, mua më ra për detyrë të flas për arritjet në fushën e arsimit, politikës sociale, sportit, gjuhës shqipe dhe luftës kundër korrupsionit.
Sa i takon arsimit, gjëja e parë që e bëri kjo qeveri ishte që shfaqi respekt maksimal për arsimtarët, madje si asnjë qeveri më parë dhe si asnjë pushtet në të kaluarën. Kështu, Sindikata e Pavarur e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe qeveria më 12 tetor 2024 nënshkruan marrëveshje për pagat e arsimit fillor dhe të mesëm, ashtu që nga tetori pati rritje për 5%, në mars të këtij viti kjo rritje u bë plus 7 për qind, ndërsa rritje prej 7.5 deri në 10 për qind do të ketë edhe në marsin e 2026-tës, 2027-tës dhe 2028-tës. Në fund të mandatit tonë një arsimtar do të marrë rrogë mbi 45 për qind më shumë seç ka marrë në shkurt të vitit 2024. Edhe sikur ta lëmë këtu punën tonë, mendoj se arsimtarët do të ishin gjithnjë falënderues dhe mirënjohës.
Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Sepse për herë të parë nga 45-ta e këndej, pra jo nga 91-shi i pluralizmit, as nga 2001-shi i luftës, por nga 45-ta, për herë të parë në arsimin shqip e futëm Abetaren e Përbashkët Kombëtare. Ndonëse edhe më parë ka pasur ministra shqiptarë të Arsimit kjo nuk është bërë, ndërsa ne vetëm me zëvendësministër ia dolëm. Le ta gëzojnë nxënësit shqiptarë dhe le të ndjehen njësoj si të gjithë nxënësit shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë. Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e ministrit Ernest Koliqi në periudhën e Tokave të Lirume dhe në kohën e VLEN-it sot.
Ideja për universitet shqiptar në Shkup ka qenë e vjetër, por takati i atyre që kanë qenë para nesh ka qenë deri te ndonjë qendër tregtare ose ndonjë lokal kazinoje, andaj nuk kanë mundur të mbajnë më shumë. Por, Qeveria jonë ka vendosur që të ndajë më shumë se 34 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nëna Terezë” në Shkup, një fond që do të shfrytëzohet në bazë të punimeve që do të realizohen aty, por që në fund Shkupit do t’i dhurojmë një qendër universitare shqiptare me të gjitha nishanet që i ka një institucion dinjitoz i arsimit të lartë.
E derisa jemi te arsimi, më duhet t’ju them se pasi që ne – me pushtet lokal – e inicuam dhe ia dolëm ta fillojmë punën e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, vetëm këtë vit janë edhe 2 milionë euro për vazhdimin e punimeve dhe aty punët po shkojnë në mënyrën më të mirë. Unë jam shumë i bindur se në shtatorin e vitit tjetër Sami Frashëri në Kumanove nuk do të jetë vetëm emri i rilindësit më të shquar shqiptar, por edhe emri i gjimnazit të përfunduar në mënyrën më të bukur në Kumanovën tonë.
Ka qenë një shkollë që as i a.q. kryeministri shqiptar nuk arriti ta bëjë – shkolla në Çashkë. Tashmë ajo nuk përmendet dhe për këtë dua ta përgëzoj zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës. Në heshtje, pa zhurmë e pa bujë, por kjo çështje është tejkaluar dhe arsimin shqip në atë zonë e kemi të garantuar. Nga shtatori aty do të punësohet edhe një mësues bile.
Megjithatë, dje kishim një situatë komike. Pas punës që kanë bërë zëvendësministri i Arsimit, prof. Lulzim Aliu, zëvendësministrja e Transportit, zonja Kaltrina Zekolli, dhe veçmas Avokati i Shtetit, z. Bekim Emini, që objekti i shkollës së Nerovës të kalojë në pronë shtetërore dhe të legalizohet e vazhdojë mësimi aty, dolën disa aktivistë të opozitës së mërzitur shqiptare, duke u mburrur se ata janë meritorë. Veç që nuk treguan se cilën pjesë të punës e kanë bërë ata. Së paku ta dimë për çka t’u duartrokasim. Sidoqoftë, shkolla në Nerovë le që nuk do të rrënohet, por ajo do të jetë një vatër që do t’i mbajë dhe edukojë të rinjtë shqiptarë në atë zonë. Le ta gëzojnë nxënësit, ndërsa le të mburret kush të dojë. Fundja, me rëndësi është shkolla, jo mburrja.
U bë gjatë, ndërsa unë jam ende te arsimi. Por, po e përfundoj këtu me arsimin. Medreseja “Isa Beu” është themeluar në vitin 1984. Vitin e kaluar e ka shënuar 40-vjetorin e themelimit, ndërsa nxënësve të saj nuk u mundësohet matura shtetërore dhe nuk mund të regjistrohen në universitetet publike e private të vendit. Këta që ikën nga pushteti, në maj të vitit të kaluar – vetëm për përfitime elektorale – e bënë një mashtrim, duke e akredituar këtë shkollë si gjimnaz, që pastaj atë akreditim ta anulojë Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, ashtu si shumë gabime e dështime të tyre, edhe këtë po e zgjidhim. E kemi angazhuar zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, prof. Lulzimin, që të merret me këtë çështje dhe tashmë propozim-ligji për shkollat e mesme fetare është në ener dhe deri në fund të këtij muaji do të jetë në Kuvend, ndërsa në shtator për herë të parë në historinë e këtij shteti do të ketë ligj për shkollat e mesme fetare. Në këtë mënyrë ne e kemi zgjidhur një problem të shumë familjeve që e kanë pasur çështje si t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në fakultetet e vendit tonë.
Por, as ky nuk është fundi i punëve tona. Po vazhdoj pak me punët e kryera në politikën sociale.
Kjo qeveri, natyrisht me meritë të veçantë të ministrit, i rriti pensionet për 5000 den., gjë që ka qenë një ëndërr për shumë pensionistë për vite të tëra duhej të kënaqeshin me rritjet e 500 denarëve që i bënin qeveritë e kaluara. Desisa flas për politikën sociale, dua t’i përmend dy ligje që janë shumë me rëndësi. Është Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, me të cilin u lehtësuan masat per marrjen e licencave, sigurisht tashmë edhe në gjuhën shqipe, u bë harmonizimi i pagave të drejtorëve nëpër çerdhet e fëmijëve dhe për herë të parë kandidatëve shqiptarë iu mundësua dhënia e provimit edhe në gjuhën shqipe. Ndërkaq, me Ligjin per mbrojtje sociale, që është në përfundim të miratimit në Kuvend, pritet të rriten kompensimet për personat me aftësi të veçanta, një rritje që atyre u garanton jetë dinjitoze, ashtu që sprovën të cilën ua ka dhënë Zoti, ne inshaallah ua lehtësojmë me kompensimin financiar që do ta kenë te rregullt dhe të sigurt. Dhe, që të mos e zgjas më shumë te politikat sociale, po e përmend vetëm edhe një fakt: gjatë këtij viti janë siguruar 550 pëlqime për punësime të reja në kopshtet e fëmijëve, 120 punësime në institucionet publike për mbrojtje sociale, 100 punësime në qendrat e punës sociale dhe 65 punësime dhe avancime në Ministrinë e Politikës Sociale. E përgëzoj ministrin Fatmir Limani dhe stafin e tij për këto arritje dhe i bëj thirrje BDI-që këto suksese t’i përballë me cilindo mandat katërvjeçar të saj.
Para se të shkoj më tej edhe një fjali për sportin. Pas shumë viteve, për herë të parë në këtë njëvjeçar klubet shqiptare e kanë ndjerë dorën shtetit. Mbi 100 klube sportive shqiptare kanë përfituar mbi 102 milionë denarë përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Ministria e Sportit.
Zëvendësministrja Safije Sadiki Shaini është bërë tashmë zëdhënëse e sportit në vendin tonë.
I kam lënë edhe dy çështje: gjuha shqipe dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Ndonëse këta mburravecët e opzoitës së hutuar na lodhën me akuzën se po dëmtohet gjuha shqipe, siç e dinë të gjithë, ajo nuk u dëmtua fare. E vërteta e hidhur është se ata e kanë lënë shqipe në gjendjen e gjuhës së minoritetit dhe gjuhë të përkthyer, por nuk ka askush në këtë shtet që mund të argumentojë me asgjë se ka ndonjë degradim të gjuhës shqipe. Bile, të gjithë deputetët e VLEN-it flasin shqip, gjë që nuk ndodh edhe me grupin parlamentar të Frontit të Kuq Popullor ose, si i thonë ata, Europian.
Ndërsa, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, janë argument dhjetëra arrestimet, si asnjëherë më parë, të shumë eksponentëve të lartë të pushteteve të kaluara, pa dallim përkatësie politike e etnike, ndërsa seriozitetin e kësaj lufte e kanë përdëftuar edhe miqtë tanë amerikanë, të cilën pikërisht për arsye të korrupsionit dhe abuzimit me drejtësinë e kanë futur në listën e zezë amerikane nongrata ish zëvendëskryministrin e parë të BDI-së, i cili është në arrati, ndërsa argument plotësues është edhe ajo se tashmë emri “Soravia” nuk është vetëm emri i një qendre tregtare në Shkup, por edhe sinonimi i korrupsionit të një partie politike shqiptare.
E kështu me radhë e kështu me radhë.
Që të mos e zgjas më shumë e të mos i bie se po vetëlavdërohemi, po e përfundoj fjalën time duke ju thënë se ashtu si dita e mirë që shihet n’sabah, edhe puna jonë shihet në vitin e parë. Nëse edhe vitet e tjera janë degradim i këtillë, siç e quan këtë vit opozita e hutuar shqiptare, kjo do të jetë festë për të gjithë shqiptarët në shekullin e ri. Sidoqoftë, këtë do ta vlerësojnë qytetarët tanë në vjeshtë.
Në vazhdojmë me punë, atyre u dëshiroj vajtim të këndshëm, ndërsa juve ju faleminderit!