Kryetari Ibrahimi mirëpret në selinë e Alternativës ambasadorin Kilian Wahl, Shefin e Misionit të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, takoi Shefin e Misionit të
OSBE-së, ambasadorin Kilian Wahl.
Sot, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, priti në selinë
qendrore të partisë Shefin e Misionit të OSBE-së, ambasadorin Kilian
Wahl.
Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme politike, përfshirë
procesin eurointegrues si një shtyllë fundamentale të pjesëmarrjes së
Alternativës në qeveri, reformat në gjyqësor dhe rolin e Alternativës në
kuadër të koalicionit VLEN.
Gjatë bisedës, kryetari Ibrahimi e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së
Alternativës në qeveri në kuadër të koalicionit VLEN, duke nënvizuar se
ky bashkëpunim ka për qëllim të avancojë interesat e qytetarëve
shqiptarë dhe të të gjitha komuniteteve të tjera, përmes një qeverisjeje
të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Po ashtu, u trajtua vendimi i Gjykatës Kushtetuese për balancuesin, i
cili është cilësuar si një vendim i gabuar, kjo për shkak të mungesës së
një mekanizmi të ri për zëvendësimin e tij, ndërsa u fol edhe për
nevojën e miratimit të një ligji për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve
në institucionet shtetërore.
Ibrahimi e potencoi edhe rëndësinë e përfaqësimit të drejtë dhe reformat
që do të sigurojnë një sistem të drejtësisë më të fuqishëm më
gjithëpërfshirës. Ambasadori Wahl, nga ana e tij, e riafirmoi
mbështetjen e OSBE-së për reformat demokratike dhe proceset integruese
të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *