Koalicioni “Lidhja Europiane për Ndryshim”: Ky është raporti më negativ i Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut

Dje opinioni kishte mundësi të lexojë raportin e fundit të Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe të bindet edhe njëherë në atë që e ne e themi një kohë të gjatë – se kjo qeveri nuk e ka më prioritet integrimin në BE. Në kohën kur qytetarët e vendit tonë presin lajme të mira nga Brukseli, që edhe Maqedonia e Veriut ta zë hapin e hapjes së negociatave për aderim në Bashkimin Europian, është vetë Komisioni Europian që ka dhënë vlerësimin se Maqedonia e Veriut është shumë keq në pikëpamje të gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit.
Natyrisht, ky është lajm i trishtë për qytetarët e vendit tonë, edhe pse për ne nuk përbën lajm të ri. Koalicioni “Lidhja Europiane për Ndryshim” tashmë një kohë të gjatë ka alarmuar se kjo qeveri nuk e ka në fokus parësor integrimin në BE, porse është e zënë me bizneset e lojërave të fatit, si dhe rritjen e shkallës së korrupsionit. Natyrisht, pushteti gjithnjë ka pasur shpjegime se qëndrimi ynë është për shkak të oponencës politike, por kur disa ambasadorë të vendeve të BE-së dhe tash edhe vetë Komisioni Europian e pohon se Maqedonia e Veriut lë shumë për të dëshiruar në kuptim të pavarësisë së gjyqësorit, duke e theksuar edhe shkarkimin kontrovers të kryetares së Këshillit Gjyqësor, nuk ka si mos të konstatojmë se autori dhe fajtori i kësaj gjendjeje nuk është anonim. Është vetë qeveria e përbërë nga treshja LSDM-BDI-ASH ajo që, me veprimet e veta antieuropiane, e ka përforcuar këtë argument edhe për Komisionin Europian.
Koalicioni “Lidhja Europiane për Ndryshim” shpreh keqardhje që ka pasur të drejtë edhe kur kemi reaguar për mënyrën se si u bënë ndryshimet në Kodin Penal. Përkundër asaj se politikanët e pushtetit u përpoqën ta manipulojnë opinionin për këtë temë, Komisioni Europian ka konstatuar se mënyra se si është miratuar ky kod, pastaj ulja e dënimeve për vepra të caktuara penale dhe mundësia që me këto ndryshime të vjetrohen shumë lëndë të ngritura nga ish Prokuroria Speciale Publike, bie në kundërshtim me standardet e drejtësisë që i synon BE-ja. E kur jemi te vjetrimi i lëndëve të korrupsionit politik, nuk mund të mos e ndërmendim edhe propozimin tonë që gjatë ndryshimeve kushtetuese të sanksionohet me kushtetutë që lëndët e korrupsionit politik të mos mund të vjetrohen asnjëherë. Megjithatë, kjo qeveri në vend që ta pranojë propozimin tonë, e ndryshoi Kodin Penal, me çka tash çdo ditë vjetrohen lëndët e Nikolla Gruevskit, Gordana Jankullovskës, Sasho Mijallkovit dhe shpurës së kriminelëve të tjerë.
Duke gjykuar se ky është raporti më negativ që ka pasur Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Europian, ne edhe një herë konstatojmë se kjo qeveri – që mendon vetëm për pushtetin dhe fare hiç për shtetin – është qeveria më antieuropiane pas vitit 2017-të dhe prandaj ajo duhet të delegjitimohet sa më shpejt që është e mundur. Ndryshe ajo po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Sidoqoftë, kjo do të ndodhë – nëse jo më herët, sigurisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Koalicioni “Lidhja Europiane për Ndryshim”
Shkup, 09.11.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *