Fjalimi i kryetarit, Afrim Gashi, në Komisionin për çështje të Kushtetutës.

I nderuari kryetar i Kuvendit, Kryeministër, të nderuar kolegë deputetë, te nderuar qytetarë
Sot kur para nesh e kemi propozimin për ndryshimet në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më lejoni që si kryetar i Alternativës dhe si deputet, ta shpreh qëndrimin tonë dhe të deklarohemi publikisht në këtë kuvend të popullit se cila është alternativa e Alternativës.
Shumë të nderuar deputetë, sot kur jam para jush, i kam para vetes dy pyetje, që dua t’i shtroj e ndoshta kryeministri, ndonjë ministër ose dikush tjetër mund t’u përgjigjet.
Pyetja e parë që na shtrohet në këtë moment është se pse ky propozim vjen tash? Pse nuk erdhi vjet në shtator apo në fillim të këtij viti? Çfarë ka qenë ajo që këtë qeveri e ka shtyrë që këtë propozim ta vonojë deri në minutën e fundit? Mos arsyeja ishte si ta përfshijnë Aleancën për Shqiptarët në Qeveri e si ta përzënë Alternativën, duke e shkelur marrëveshjen që e kishim për bashkëqeverisje? Apo, mos ishin të zënë në bisedime me Nikolla Gruevskin si ta përdorin për qëllime elektorale? Mendja na shkon edhe mos ishit të zënë me kapjen e gjyqësorit, duke emëruar njerëz partiakë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Apo kishit punë me ndarjen e përqindjeve të korridorit 8? Cili ishte ai angazhim i juaji aq i madh që ju pengoi që këtë propozim ta sillni në Kuvend më herët?
Natyrisht, të gjitha këto supozime qëndrojnë dhe ju e dini më së miri se cili ka qenë angazhimi juaj, por jam i bindur se përgjigjja më e saktë është se ju e keni integrimin në Bashkimin Europian vetëm fjalë goje, deklaratë boshe, sepse realisht juve aq ju bën për BE-në. Dikush që e ka dert integrimin e vendit në BE nuk bën veprime të këtilla dhe nuk sillet si ju – “ta gjejmë një fajtor që nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, ndërsa ne t’i fitojmë zgjedhjet”. Ky është slogani juaj. Sepse ju nuk mendoni për vendin, për të ardhmen e qytetarëve, por mendoni për të ardhmen e partive tuaja dhe të vetë juve personalisht. Madje, për të qenë më i saktë, për juve nga Europa e rëndësishme është vetëm rrokja e parë e këtij emri.
E se kam të drejtë dhe se nuk po ekzagjeroj, për këtë më bindin përgjigjet e pyetjes sime të dytë: pse ky propozim-ndryshim vjen kështu? Kur e parashtroj këtë pyetje, e kam fjalën se pse në këtë propozim-ndryshim nuk është përfshirë edhe propozim-amendamenti ynë për luftë kundër korrupsionit? Siç e dini, ne kemi bërë një propozim publik që lëndët e luftës kundër korrupsionit të mos vjetrohen asnjëherë. Mirëpo, qeveria e ka sjellë propozim-ndryshimin pa e përfshirë edhe këtë propozim. Kjo më detyron ta shtroj pyetjen tjetër: kush frikësohet nga mosvjetrimi i lëndëve të korrupsionit. Edhe sa Sasho Mijallkovë i keni që duhet t’i shpëtoni duke ua vjetruar lëndët e korrupsionit? A mos doni ta shpëtoni edhe Ramiz Merkon në këso mënyre? Më thoni ju lutem kush frikësohet në këtë shtet nga lufta kundër korrupsionit? A kemi të tillë edhe në këtë sallë edhe në këto banka. A nuk do të ishte Maqedonia e Veriut më europiane me këtë ndryshim? Natyrisht, kështu do ta kishin problem ata që e kanë mendjen te rrokja e parë e emrit të kontinentit, por qytetarët tanë do të ishin më të qetë, ndërsa politikanët do të kishin menduar dy herë para se të hyjnë në zonë të kuqe. Prandaj ne do presim që të shohim si do të përgigjeni në pyetjet tona, e sidomos na intereson pse kjo qeveri ka frikë nga lufta kundër korrupsionit. Sepse ne besojmë se lufta kundër korrupsionit është parimi themelor i drejtësisë europiane.
E derisa flasim në pyetjen “Pse kështu?”, çështja tjetër që shtrohet, e që është po aq europiane, është se pse në këtë propozim nuk është inkuadruar edhe propozimi për ndryshimi e emërtimit ofendues të gjuhës shqipe? Më thoni cilës parti, cilit politikan e cilit njeri në këtë shtet i pengon që gjuha shqipe të quhet me emrin e saj, njësoj siç quhet maqedonishtja, e jo të emërtohet me eufemizma ofendues e diskriminues. Ju lutem, po ju pyes ashtu siç na pyeste arsimtari në shkollë: kujt nga ju i pengon togu “gjuha shqipe”? A ka dikush që e urren gjuhën shqipe? E pse atëherë nuk e keni përfshirë edhe atë propozim-ndryshim? A është gjuha shqipe më pak e rëndësishme se integrimi? Po çfarë kuptimi ka integrimi në BE, integrimi me estonishten e portugalishten, kur ky shtet urren ta përmendë emrin e gjuhës shqipe? Se pse e bën këtë BDI-ja dhe LSDM-ja, këtë e dimë më, sepse ata e kanë mendjen të rrokja e parë e emrit të kontinentit të vjetër, por se pse e bën këtë Aleanca për Shqiptarët, këtë vërtet nuk e kuptoj. Derisa ministri i saj i Drejtësisë e sjell propozim-ndryshimin pa zgjidhjen e gjuhës shqipe, kryetari i kësaj partie në rrjete sociale i del zot gjuhës shqipe. Unë uroj të mos kenë divergjenca aq të mëdha ose të mos bëhet fjalë për ndonjë zhvatje, sepse këtë nuk ua dëshiroj askujt e as atyre, por në kohën që kjo qeveri nuk ka siguruar shumicë për ndryshime kushtetuese, pse Aleanca është e detyruar të heqë dorë nga ky propozim, që derisa ishin në opozitë e kishin kryetemë?
Kur jam te gjuha shqipe, më duhet të shpjegoj se janë të paqëndrueshme argumentet se “tash nuk është koha” e broçkulla të këtilla. Nëse ne nuk ndërtojmë kohezion të brendshëm ndëretnik, për çfarë integrimi flasim? Këto përralla nuk i beson askush, madje as ju vetë.
Sidoqoftë, po e përfundoj fjalën time duke ju thënë se Alternativa e ka dëshmuar në të kaluarën dhe nuk kemi nevojë ta dëshmojmë edhe një herë se cili është qëndrimi ynë rreth integrimit të vendit në BE. Organet tona partiake, gjithashtu të kordinuar edhe me partitë tjera të Frontit Opozitar shqiptar, do të përcjellin debatin deri në fund dhe do të presim përgjigjet në pyetjet tona. Por tani e kam patjetër të theksoj se ky propozim kështu si është përgaditur dhe kohën në të cilë është dërguar këtu në Kuvend, na lë më shumë për të kuptuar se ky propozim për ndryshime kushtetuese është më shumë antieuropian se sa që ka për qëllim integrimin e vendit në BE, sepse një propozim që ka frikë nga lufta kundër korrupsionit dhe që ka frikë nga përmendja e gjuhës shqipe nuk frymon assesi në frymën europiane.
Ju faleminderit!
Afrim Gashi
25.07.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *