E nderuara ministre, para ca ditësh unë kisha një konferencë për shtyp nga zona e f. Nikushtak të Komunës së Likovës, ku është krijuar një deponi e egër, në të cilën shumë shpesh mbeturinat digjen dhe kjo po shndërrohet në burim jo vetëm i ndotjes së ajrit e të ujit, si dhe burim sëmundjesh, por edhe burim aksidentesh rrugore dhe në bombë ekologjike. Për fat të keq, deri tash nuk ka asnjë përgjigje nga ana e juaj?
Prandaj e shfrytëzoj këtë mudnësi që t’ju pyes nga foltorja e Kuvendit: A e dini ju se ka deponi të egër në këtë zonë dhe çfarë keni ndërmarrë deri tash për ta pastruar ose për ta zgjidhur atë problem? Meqë e di se asgjë nuk keni ndërmarrë, nënpyetja është se a e keni lënë atë deponi në atë gjendje sepse ajo është zonë shqiptare dhe ju nuk e keni dert pse helmohen shqiptarët? E nëse doni edhe më shumë saktësim, ja edhe një nënpyetje tjetër: kur, në cilën ditë, në cilën datë do të ndërmerrni ndonjë masë që ta shpëtoni atë popullatë nga kjo bombë ekologjike?
Për ministren e Mjedisit Jetësor e kam edhe një pyetje tjetër. Dua informacion për deponinë “Drislla”, që është pranë fshatit Batincë të Shkupit. Nuk di a e di ministrja, por kjo deponi, që edhe pak i mbush 30 vjet, është burim i helmimit për fshatin Batincë dhe fshatrat e tjerë të Komunës së Studneiçanit, ndonëse vetë deponia bie në kufijtë e Komunës së Sopishtes. Pra, helmohen banorët e Komunës së Studeniçanit, edhe ata rastësisht janë shqiptarë, ndërsa përfitimin e merr Komuna e Sopishtes. Por, merreni fitimin, nuk ka problem, por pyetja është se pse lejohet kjo deponi me ato substandarde? A e dini se aty hidhen mbetjet medicinale dhe kafshët i nxjerrin në rrugë e nëpër fshatra, duke shkaktuar tmerr ndër banorët, ndërsa ato mbetje, si edhe djegia e materieve të panjohura për fshatarët e zonës, janë bërë burim i helmimit të ujit të pijshëm dhe ajrit, ndërsa kohëve të fundit po shfaqen gjithnjë e më shumë sëmundje malinje.
Pyetja ime është: Çfarë ka bërë Ministria e Mjedisit Jetësor për të vënë standarde në këtë deponi dhe a ka ndonjë plan ta menaxhojë këtë bombë ekologjike në rrethinën e Shkupit?
Nënkryetare – Deputete e AlternAtivA-s