I nderuari Kryeministër, më 11 shtator, dhjetë ditë më parë, qeveria juaj ka marrë vendim për të bërë thirrje publike për themelimin e tre kompanive të reja të bixhozit. Për informacion të opinionit, përmes këtyre tre kompanive tashmë do të mundësohet që lojërat e këtilla të fatit të realizohen përmes aplikacioneve elektronike, pra në telefona celularë, tabletë dhe kompjuterë personalë.
z. Kryeministër, meqë vendimi është nënshkruar nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, ne kemi dyshime pikërisht ai është i përzier në këtë biznes. Ju lutem na e konfirmoni ose na e përgënjeshtroni këtë informacion, por ne duam ta dëgjojmë nga ju! Cila është lidhja e Artan Grubit dhe e BDI-së me biznesin e kazinove?
Në kohën kur Maqedonia e Veriut po bëhet shtet i kazinove dhe jo i fabrikave, kur në secilin skaj kemi nga një kazino, madje në rrugën për Kosovë investimet e vetme i keni bërë duke lejuar kazino, ne e kemi pyetjen se për çfarë arsye gjithë ky angazhim i juaji si qeveri në bixhoz, më saktë në kazino? A dëshironi kështu ta mbuloni varfërinë, inflacionin, mungesën e zhvillimit ekonomik apo vendi ynë po bëhet lavatriçe për larje parash të mafiozëve të brendshëm e të huaj? Kujt i duhen këto kazino? A jeni të vetëdijshëm se kështu po e dëmtoni rëndë familjen tonë për të përfituar dikush ndonjë biznes?
E derisa flasim për kazinotë, bashkë me këto pyetje, dua të pyes kryeministrin se pse nuk ka ndonjë thirrje për ndërtim të shkollave, çerdheve e spitaleve? A jeni ju qeveri që e stimuloni zhvillimin ekonomik e social apo jeni qeveri që e stimuloni bixhozin?
Nënkryetare – Deputete e AlternAtivA-s