Kryetari i Alternativa, njëherësh Zëvendëskryeministër i Parë i Maqedonia e Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi në Shkup një diskutim të drejtpërdrejtë dhe substancial me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Brunner.
Në këtë takim, Zëvendëskryeministri i Parë theksoi qartë përkushtimin e vendit ndaj reformave thelbësore në kuadër të procesit eurointegrues. Maqedonia e Veriut po jep rezultate konkrete në forcimin e sundimit të ligjit, në reformën e administratës publike dhe në përmbushjen e kritereve hapëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë diskutimit u trajtuan çështje kyçe si migracioni, siguria kufitare dhe lufta kundër krimit të organizuar – fusha në të cilat vendi ynë jo vetëm që është i harmonizuar me standardet evropiane, por edhe kontribuues aktiv në sigurinë e përbashkët evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Sistemit të Hyrje-Daljes (EES) dhe ndikimit të tij mbi shoferët profesionistë. Për një shtet që mbështetet fuqishëm në transportin rrugor, kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por drejtpërdrejt ekonomike. U theksua nevoja për një zgjidhje pragmatike dhe të drejtë që mbron stabilitetin ekonomik dhe zinxhirët e furnizimit.
Drejtimi ynë është i qartë:
Reforma. Rezultate. Evropë në shtëpi.
