Sot, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishin për vizitë disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi i Deputetëve të Miqësisë Parlamentare Maqedoni e Veriut-Kosovë, të prirë nga kryetarja e këtij grupi, Ganimete Musliu.
Ata u pritën nga deputetët e këtij grupi të miqësisë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili udhëhiqet nga kryetari i Alternativës, njëherazi deputet, Afrim Gashi.
Me këtë rast, kryetari Gashi, duke u uruar mirëseardhje, ka folur për marrëdhëniet e mira të ndërsjella të dy vendeve, dy popujve dhe dy kuvendeve përkatëse.
Temë e këtij takimi ka qenë kërkimi i më shumë fushave të bashkëpunimit në planin parlamentar, por edhe në sferat e tjera të ndërveprimit për interesa të përbashkëta të të dyja vendeve që projektojnë aspirata të njëjta integruese drejt Bashkimit Europian dhe bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Thellimi i bashkëpunimit Maqedoni e Veriut-Kosovës është në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, por edhe të europianizimit të rajonit, në përgjithësi.”, ka theksuar me këtë rast kryetari Gashi.
Deputetët e Kosovës kanë shprehur falënderim për mikpritjen dhe janë shprehur me nota optimiste për fuqizimin e bashkëpunimit mes të dyja shteteve.
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 07.06.2023