Sonte në Komunën e Tearcës, më saktë në f. Nerasht, qëndroi lidershipi i Alternativës, ku bashkëbisedoi me qytetarët e kësaj komune.
Në emër të degës së Alternativës së Tearcës të pranishmëve u dëshiroi mirëseardhje kryetari i degës, Arian Hakiki, i cili – mes tjerash – bëri një elaborim të gjendjes së përgjithshme të standardit të jetës në këtë rajon, duke theksuar se: “Për fat të keq, meqë Komuna e Tearcës nuk bën asgjë ose është e zënë me punë korruptive, ne jemi të detyruar që infrastrukturën ta bëjmë me vetorganizim.”
Pas tij fjalën e mori sekretari organizativ, Bashkim Murtezi, i cili tha se: “Nuk mund të flasë për sukses në politikë dikush që për 20 vjet nuk ka arritur të ndryshojë asgjë në pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj po vijmë ne, që të bëjmë punë ashtu siç ditëm të punojmë gjatë pushtetit njëvjeçar kur e kishim Ministrisë e Shëndetësisë dhe spitalin e Tetovës, që këso mënyre të punës të ofrojmë edhe në sferat e tjera të jetës.”
“Neve të Alternativës në emër na shkruhet dhe në praktikë na dëshmohet, që jemi alternativë, që jemi njëra nga dy rrugët që populli mund të zgjedh.
Jemi një nga dy llojet që ekzistojnë në politikë (e që dukshëm e përjashtojnë njëra tjetrën). Pra, ose je njeri me integritet ose je njeri hipokrit, ose ke ndershmëri ose je mashtrues. Ose je politikan që politikën e sheh si një mundësi ku mund të kontribosh për njerëzit, ose je politikan që politikën e sheh si biznes ku mund të përfitosh nga njerëzit. Shkurt pra, ose je poltikian që VLEN ose je politikan që RREN.”, përfundoi ai.
Në këtë tubim foli edhe sekretari i përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, i cili u ndal në interpretimin e nëntekstit të deklaratave politike të oponentëve politikë. Ai tha se: “Nënteksti i fjalisë së Vuçiqit se ‘Kam drojë se Albini do e mund Ali Ahmetin’, është fjalia ‘Kam drojë të humbë Ali Ahmeti dhe BDI-ja'”. “Prandaj, vazhdoi ai, pyetja jonë është se pse Vuçiqi është kaq shumë i shqetësuar nga humbja e Ali Ahmetit dhe BDI-së?! Këtë e ka për detyrë ta shpjegojë vetë Ali Ahmeti”, përfundoi ai.
Si banor i Nerashtit dhe si nënkryetar i Alternativës foli edhe Amir Elezi, i cili tha: “Kemi përpiluar program zgjedhor i cili ka në qendër dhe fokus qytetarin shqiptar, familjen shqiptare, duke paraparë zgjidhje për vende të reja pune, rritje të pagave në arsim, shëndetësi, polici, rritje të ndihmës për shtresat sociale, rritje të pensioneve, bursa për studentët ekselentë, investime kapitale të qeverise për vendbanimet shqiptare, sepse është koha e fundit që diskriminimi që u është bërë shqiptarëve dhe viseve tona tashmë sa vite të kompensohet.”
Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili theksoi se “Ky është momenti i fundit kur duhet të bashkohemi që të mund ta përmbyllim një cikël të errët të jetës sonë, për t’i dhënë mundësi shpresës, suksesit e mirëqenies”.
“24 prilli dhe 8 maji është mundësi e rrallë që ne të mund ta ndalim rininë tonë në këto troje dhe të mundësojmë jetën më të mirë për secilin qytetar”, përfundoi ai.
Tubimi përfundoi me biseda të ndërsjella të lidershipit të partisë me qytetarët e pranishëm në këtë takim.