Lidhja Europiane për Ndryshim: Kandidati presidencial i BDI-së nuk i përfaqëson shqiptarët

Këto ditë, kur po bëhen publikë kandidatët për presidentë të Republikës së Maqedonisë, ndër emrat që lakohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim është ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Ndonëse është e drejtë e tyre që ta kandidojnë kë të duan, ajo që duam ta vëmë në spikamë është se ky kandidat nuk i përfaqëson shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. I promovuar si ministri i parë shqiptar i Punëve të Jashtme në vendin tonë, ai po e mbyll mandatin pa bërë as edhe një vizitë të vetme në Republikën e Kosovës. Në kohën që atje shkuan gati të gjithë politikanët maqedonas, bile edhe disa politikanë serbë që veprojnë kundër regjimit të Vuçiqit, ai që kurrë nuk gjeti fuqi dhe arsye për të shkuar në Kosovë është vetëm Bujar Osmani. Le që nuk kemi pritur që ai të bëjë homazhe në Prekaz, siç bëri Sandulloviqi, por ka qenë skandaloze kualifikimi i tij për sulmin terrorist serb në Banjskë, në veri të Kosovës. Në kohën që State Department-i Amerikan dhe Komisioni Europian, si edhe të gjitha vendet aleate perëndimore e gjykuan këtë si sulm terrorist, i vetmi ishte Bujar Osmani, që si kryesues i OSBE-së, foli për atë ngjarje gati siç flet Bjellorusia për sulmet ruse në Ukrainë. Le që nuk foli si shqiptar, por as si kryesues i OSBE-së ai nuk tha asgjë për t’u vënë në radhë me lidershipin perëndimor. Se a shpjegohet kjo me komentet e fundit të Vuçiqit për mundësinë e humbjes së BDI-së në zgjedhje apo ka diçka tjetër, këtë duhet ta shpejgojnë ata, por se Kosovës nuk i ka sjellë asnjë dobi kryesimi i OSBE-së nga Bujar Osmani, kjo është evidente.
Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo qasje indiferente ndaj Kosovës dhe interesave shqiptare në rajon, ai – si ministër i njohur edhe më parë me afera korruptive – nuk la e pa ngjyer lugën në korrupsion edhe duke qenë ministër i Punëve të Jashtme. Ishte ngjarja e organizimit të samitit të OSBE-së në Shkup që e zbardhi prirjen e tij korruptive, për çka edhe vetë e pranoi dhe kërkoi falje, ndërsa jo më pak të dyshimta kanë qenë edhe tenderët e realizuar me kompaninë “Eurovia”, si dhe ato për makinat që janë përdorur për samitin e OSBE-së.
Sidoqoftë, këto dhe të dhënat e tjera që do t’i publikojmë ditëve në vazhdim janë dëshmi e bollshme për ta kuptuar se gjithkush nga BDI-ja mund të ishte i pranueshëm si shqiptar, por Bujar Osmani nuk mund të jetë kandidat i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Shkup, 14.02.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *