Dje ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, njoftoi se e kanë finalizuar tekstin e ligjit për evidentimin e personave të paevidentuar në Librin Amë të të Lindurve.
Ndonëse ai nuk e ka përmendur, mbase me harresë të paqëllimshme, ky propozim-ndryshim ligjor është përgatitur nga ish drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Blerim Abazi. Në të vërtetë, drejtori Abazi, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet relevante dhe organizatat vendore e ndërkombëtare, e kishte finalizuar tekstin e propozim-ndryshimit ligjor, ndërsa pas daljes së Alternativës nga qeveria, këtë punë e ka vazhduar pasuesi i tij në këtë detyrë dhe tashmë edhe ministri i Drejtësisë mburret me këtë arritje.
Sa për informacion, gjatë kohës sa Blerim Abazi ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Librave Amë, aty janë regjistruar 30 persona që kanë pasur mungesë të evidencës, 28 vendime të tilla kanë qenë gati, ndërsa 317 persona janë evidentuar në libër të posaçëm amë, si edhe 166 persona që kanë qenë me dokumente të pakompletuara. Kjo ka qenë arsyeja që në bashkëpunim me UNCHR-në janë kërkuar dhe janë gjetur të gjithë këta persona dhe janë informuar rreth plotësimit të dokumenteve me qëllim të zgjidhjes së lëndëve të tyre. Për më tepër, ish drejtori Abazi e ka mbrojtur këtë propozim-ndryshim ligjor edhe para Komisionit për Çështje të Sistemit Politik të Kuvendin Republikan dhe kishte mbetur vetëm faza e votimit dhe kalimit në seancë plenare.
Sidoqoftë, neve na vjen mirë që propozimi tashmë është gati të kalojë dhe pavarësisht se kush e ka përgatitur e kush dëshiron t’i marrë meritat, e rëndësishme është që përmes këtij ndryshimi do të përfitojnë mjaft qytetarë që nuk kanë pasur evidencë në Librin Amë.
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 13.04.2023