Duke dëgjuar zërin e ankesës së qytetarëve të f. Batincë, por edhe të gjithë zonës së fshatrave të Karshiakës së Shkupit, që protestojnë kundër asaj që ndodhë me deponinë “Drislla”, AlternAtivA e mbështet protestën qytetare të paralajmëruar për ditën e premte (15.09.2023) dhe bën thirrje për pjesëmarrje sa më masovike në të.
Nga ajo që jemi të informuar këto ditë nga terreni, por edhe nga pamjet e trishtueshme që janë shfaqur në mediat sociale, rezulton se në atë deponi, përveç helmeve që e ndotin ajrin dhe ujin, aty hidhen edhe foshnja të abortuara ose të vdekura, fetuse dhe gjymtyrë të njerëzve, që pastaj përmes kafshëve dhe insekteve barten jashtë deponisë, duke shkaktuar jo vetëm ankth e trishtim te banorët e zonës, por edhe duke u bërë burim i sëmundjeve për banorët e kësaj ane.
Krejt kjo është arsyeja që ne si parti ta ngremë zërin e protestës dhe të kërkojmë nga të gjitha institucionet e pushtetit qendror, veçanërisht nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Punëve të Brendshme, nga inspektorati mjedisor e sanitar, por edhe nga Qyteti i Shkupit dhe, veçmas, nga Prokuroria Publike, që të ndërmarrin masa për konfirmimin e këtyre informacioneve dhe për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Në të kundërtën, ata janë bashkëpjesëmarrës në vrasjen e kësaj popullate dhe në krimin që bëhet me jetën e tyre.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë situatë dhe do ta ngremë alarmin edhe në instanca të tjera gjithkund ku arrin zëri ynë, të bindur se asgjë nuk ka më shumë vlerë sesa jeta e njeriut.
AlternAtivA është me protestuesit dhe kundër abuzimit në deponinë “Drislla”.
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 14.09.2023