Nëse demokracia lind nga nocioni i barazisë (siç shpreh Aristoteli) dhe karakterizohet me vlerat e drejtësisë, lirisë e transparencës, fatkeqësisht Maqedonia e Veriut nuk mund të quhet dhe aq demokratike.
Sepse mungon demokracia aty ku nxënësit shqiptarë nuk mund t’i ndjekin mësimet në gjuhën e tyre; edhe aty ky gjuha shqipe nuk emërtohet dhe zyrtarizohet njejtë si gjuha tjetër zyrtare; po aty ku ende mbizotëron diskriminimi në përfaqësim adekuat të qytetarëve në institucione.
Sepse mungon demokracia aty ku drejtësia amniston kriminelët për “mbingarkim”, risjellë kriminelët për “integrim”, ndërkaq i dënon pafajësisht shqiptarë me montim (se janë “monstra”); dhe po aty ku prokuroria hesht kur digjen 14 viktima.
Sepse mungon demokracia aty ku vetëm ekzekutivi është i lirë për të manipuluar në kurriz të “demo” kracisë.
Sepse gjithashtu mungon demokracia aty ku korrupsioni është pjekur e ka marrë ngjyrën e normalitetit dhe se brumin e tij e shijojnë nga profesori tek drejtori, nga polici tek doktori; dhe mungon aty ku lëndët e korrupsionit politik, jo vetëm që vjetrohen, por edhe kur i bihet tupanit që të këndohet për të, e ashtuquajtura demokraci e këtij vendi shurdhohet.
Pra , për të pasur vërtet demokraci, domosdoshmërisht çdo qelizë e shtetit, përfshirë dhe udhëheqësinë, duhet ta mbështesin fuqishëm dhe dinjitetshëm atë me të gjitha vlerat e saj, duke e zbatuar dhe praktikuar, e jo duke e ilustruar përmes abstraksionizmit.
Por, sidoqoftë, urime Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë çdo qytetari që mbron e vepron mbi vlerat demokratike.
Lufta për demokraci është e vetmja që na çon drejt paqes e mirëqenies ndaj çdo përpjekjeje dhe përfshirje në këtë drejtim është po aq e rëndësishme sa vetë demokracia.