Duke parë gjendjen në resorin e bujqësisë, ku çmimi i shitjes nuk arrin ta përballojë koston e prodhimit, AlternAtivA konstaton se bujqit përfundimisht detyrohen ta braktisin profesionin e tyre.
Siç tashmë e di opinioni që merret me këtë dikaster, çmimi për një kilogram grurë momentalisht blihet për 12 den./kg nga blerësit e regjistruar, që është edhe kusht për marrjen e subvencioneve të fermerëve nëse nuk i shesin te këta blerës. Por, duke iu referuar analizave të Institutit të Bujqësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, si dhe duke u thirrur në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës, del se çmimi i përcaktuar i prodhimit të grurit është 19 den/kg dhe çmimi i prodhimit të elbit 14.8 den./kg. Kjo është kostoja reale e përllogaritur në kg për këtë vit që fermerët e kanë pasur, gjë që nënkupton se ata duhet të punojnë me humbje.
Të shtyrë nga kjo, si dhe nga kërkesat e shpeshta të fermerëve, bëjmë thirrje që çmimi për subvencionim të drithërave rë rritet. Përveç kësaj, shteti duhet të marrë masa që ta blejë drithin për rezervat shtetërore, me qëllim të ruajtjes së qendrueshme të çmimit të prodhimit. Po ashtu shteti duhet të ndërhyjë me Fondin-Intervenues në Ministrinë e Bujqësisë, që të japë subvencione shtesë për harxhimet e pergjithshme që kështu të arrihet çmimi i merituar dhe t’u dilet në ndihmë këtyre fermerëve.
Pavarësisht kësaj, AlternAtivA do të vazhdojë të kujdeset për bujqit dhe ta ngrejë zërin institucional për t’i mbrojtur interesat e tyre.
AlternAtivA – Departamenti i Bujqësisë
Shkup, 13.07.2023