Në Ditën e Alfabetit, Kryetari Zeqirija Ibrahimi, së bashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Kryeparlamentarin Afrim Gashi dhe lidershipin e VLEN-it, morën pjesë në një drekë pune të mbajtur me ftesë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ditë me simbolikë të jashtëzakonshme për identitetin tonë kombëtar.
Para manifestimit qendror në Manastir, Kryetari Zeqirija Ibrahimi dhe të pranishmit kujtuan sakrificën, vendosmërinë dhe largpamësinë e figurave që i dhanë gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët – një akt që shënoi fillimin e një epoke të re për arsimin, kulturën dhe vetëdijen kombëtare shqiptare.
Dita e Alfabetit mbetet moment reflektimi për një kthesë historike, pa të cilën zhvillimi ynë kombëtar do të ishte i cunguar. Kongresi i Manastirit është ngjarje themeltare e historisë shqiptare, një akt unifikues që i hapi rrugë emancipimit dhe konsolidimit të identitetit tonë.
Takimi u zhvillua në këtë frymë respekti të thellë për të kaluarën dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Gjatë bisedës, Kryetari Zeqirija Ibrahimi dhe liderët e tjerë të VLEN-it, së bashku me Kryeministrin Kurti, uruan njëri-tjetrin për fitoret në zgjedhjet lokale në të dy vendet, duke vlerësuar besimin që qytetarët kanë shprehur në alternativat politike reformuese.
Po ashtu, të dy palët u zotuan për intensifikim të bashkëpunimit në funksion të prosperitetit, zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të vendeve tona.
