Me krenari dhe përkushtim, ju njoftojmë se Qeveria dje e ka miratuar propozim-ligjin për shkollat e mesme të komuniteteve fetare, që është një hap tejet i rëndësishëm që e zgjidh përfundimisht një çështje shumëvjeçare dhe të ndjeshme për nxënësit e shkollave fetare në Maqedoninë e Veriut, e veçmas për nxënësit e Medresesë “Isa Beu”.
Ky ligj bën të mundur që diplomat e Medresesë “Isa Beu” dhe të shkollave të tjera fetare të njihen dhe të barazohen plotësisht me ato të çdo shkolle tjetër të mesme në vend. Pas disa dekadave diskriminim të heshtur dhe mungese përfaqësimi të denjë, sot këta nxënës po e fitojnë të drejtën e plotë si çdo qytetar tjetër. Me këtë ligj nxënësit e kësaj shkolle do ta kenë arsimimin gjimnazist, të plotësuar me lëndët fetare, ndërsa në fund të shkollimit do ta japin provimin e maturës shtetërore, që ashtu të mund të regjistrohen në secilin fakultet të vendit dhe të huaj publik dhe privat.
Ky nuk është vetëm një hap teknik, por është një përmbushje e një detyrimi moral dhe një nderim për besimin dhe dijen që buron nga përkushtimi ynë politik dhe jetësor. Me këtë hap, ne e ripërtërijmë besimin në shtet, duke garantuar se shkollat e mesme fetare janë pjesë integrale dhe e respektuar e sistemit arsimor të vendit tonë. VLEN-i nuk bën lojëra politike me ndjenjat fetare.
