Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, u takua me eurodeputetin Thomas Waitz dhe raportues kryesor për raportet e Parlamentit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua për procesin e integrimit evropian dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian mbi Maqedoninë e Veriut, i miratuar me shumicë votash në korrik 2025, i cili vlerëson progresin e vendit dhe thekson nevojën për heqjen e bllokadave politike ndaj procesit të anëtarësimit.
Zëvendëskryeministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të eurodeputetit Waitz, ndërsa u riafirmua qëndrimi se çështjet dypalëshe nuk duhet të shndërrohen në pengesë për avancimin e procesit integrues. Eurodeputeti Waitz theksoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në kritere objektive dhe vlera evropiane.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe dialogut të ngushtë me institucionet evropiane në funksion të përshpejtimit të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
