Sonte jemi në përmbyllje të fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe këtë po e bëjmë nga Shkupi, aty ku përfundojnë punët e mëdha. Kur më 9 maj 2016-të, pra në Ditën e Europës, e organizuam protestën e madhe për dinjitet, drejtësi e demokraci, ku ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, sot kryeministër i Kosovës, nuk e kishim ditur se do të duhej të kalonin edhe tetë vjet të tjera që kërkesat e asaj proteste të bëheshin realitet.
Na është dashur shumë punë, na është dashur të kalojnë shumë pengesa, na është dashur të durojmë shumë përçarje, ndarje, fyerje e përqeshje, sepse kundërshtarët e gojëligët atë punë e kanë, por ama – si thonë – ai që qesh i fundit, qesh më së ëmbli.
E sonte jemi tubuar këtu që t’ia themi këngës më të bukur që e dimë, të qeshim e të gëzohemi se zullumit po i vjen fundi.
Të dashur qytetarë, sonte jemi këtu që ta përmbyllim fushatën e zgjedhjeve presidenciale dhe ta lëmë testamentin tonë për zgjedhjen parlamentare.
Atëherë kur të tjerët thoshin se nuk është koha për president shqiptar, ne, ashtu siç premtuam, e kandiduam Dr. Arbenin i cili është kandidati i vetëm që i përfaqëson shqiptarët, që ka dalë nga një koalicion shqiptar, që mbështetet nga mërgata shqiptare dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Të dashur të pranishëm në këtë tubim, sonte para jush dua ta them edhe një gjë tjetër, që nuk e kam thënë në asnjë tubim. Dua të shpjegoj se pse ne jemi meritorë për këtë fitore. Të gjithë e dimë se Zoti thotë në Kuran se “Ai nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.”.
Kjo do të thotë se kur ne, drejtuesit e këtij koalicioni, e ndryshuam veten tonë, pra i tejkaluam egot dhe hatërmbetjet tona e ia zgjatëm dorën njëri-tjetrit si vëllezër, atëherë me ne u bashkua edhe populli.
E kur bashkohet populli, jam thellë i bindur se aty nuk mungon as dora e Zotit. Kur ne sakrifikojmë e dëshmojmë vetëmohim, atëherë mëshira e Perëndisë vjen si shpërblim.
Prandaj, si kurrë më parë, tashmë janë pjekur kushtet që më 24 prill, duke i vërshuar kutitë e votimit me votën tonë të lirë, këtë ngjarje politike ta shndërrojmë në një festë të madhe me përmasa historike.
E përveç detyrimit që e kemi që deri më 24 prill e 8 maj të flemë më pak e të punojmë më shumë dhe të mos e lëmë asnjë votë pa e bërë VLEN, po i kthehem fillimit të këtij fjalimi, që t’ju them se më 9 maj përsëri Shkupin do ta vërshojmë, por kësaj radhe në Shkup do të festojmë.
Duke jua kujtuar se numri i fitores është 6, fjalën time po e përfundoj duke iu drejtuar rinisë me atë që edhe e nisa. Migjeni e ka bërë poezi, ndërsa Sabri Fejzullahu e ka kthyer në këngë. Janë këto vargjet shumë të njohura drejtuar rinisë: “Qeshu rini qeshu, bota është e jote, thuaja këngës, thuaja, këngës gëzimplote!”
Mirupafshim në festën e madhe të fitores së 24 prillit dhe të 8 majit! Zoti na ndihmoftë
Ju faleminderit!
AFRIM GASHI