Sot realizuam një takim shumë të frytshëm me z. Anzhej Frangesh, i Dërguar i posaçëm i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor dhe Drejtor i përgjithshëm për çështjet e BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë.
Në takim poashtu ishin prezent bashkëpunëtorja e z. Frangesh, znj. Maja Novak Drnovshçek si dhe Ambasadori slloven në Shkup, z. Gregor Presker.
Në këtë takim biseduam për zhvillimet politike në vend dhe në rajon, duke e falënderuar për rolin jetik të Sllovenisë në avancimin e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ruajtjen e sigurisë dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.
E siguruam z. Frangesh, se koalicioni VLEN, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit dhe si qeverisje e ardhshme, do të dedikojë tërë kapitalin e saj politik në realizimin e menjëhershëm të ndryshimeve kushtetuese, përmbyllejn e sukseshme të negociatave për anëtarësim në BE, dhe rritjen e kohezionet me vendet evropiane në sektorë kyç siç janë shteti i së drejtës, infrastruktura dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm shoqëror.