Organizata

ALTERNATIVA është organizatë politike, e cila në spektrin ideologjik përcaktohet si subjekt i qendrës së djathtë. Identiteti i saj, më saktë, përshkruhet edhe përmes tri nocioneve: AUTENTIKE– është subjekt atipik, që profilin e vet e ka ndërtuar konform nevojave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut; AUTOKTONE– është krijuar nga kapacitetet vendore shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe AUTONOME – është subjekt në vete dhe i pavarur nga çdo ndikim i brendshëm ose i jashtëm, ndonëse i hapur për komunikim dhe bashkëpunim. ALTERNATIVA është themeluar që ta ruajë dhe kultivojë kulturën, traditën dhe vlerat tradicionale të shqiptarëve, por edhe që të kontribuojë në krijimin dhe zhvillimin e një SHOQËRIE TË VYRTYTSHME në Republikën e Maqedonisë së Veriut. ALTERNATIVA mëton që, përmes zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale, të etablohet në 6 skenën politike dhe konform besimit që merr nga votuesit t’i respektojë dhe promovojë vlerat e lirisë, barazisë e drejtësisë në vendin tonë. Ajo synon të promovojë, në interes të të gjithë qytetarëve, e posaçërisht shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, lirinë e mendimit dhe dinjitetin e individit, të drejtat dhe detyrimet themelore të tyre, respektimin e shanseve të barabarta, tregun e lirë e konkurrues si instrument për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit, shtetin e së drejtës, sigurinë e individit dhe të pronës, përgjegjësinë individuale e fuqizimin e familjes, drejtësinë shoqërore e dialogun social, ruajtjen e natyrës dhe të ambientit, autoritetin e shtetit dhe vetëqeverisjen e lirë të komuniteteve lokale. ALTERNATIVA angazhohet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në organizmat evropiane e euroatlantike, si dhe për një rrezatim pozitiv të imazhit të vendit kudo në botë. ALTERNATIVA i bashkon rreth saj të gjithë qytetarët që u përmbahen këtyre aspiratave dhe objektivave. ALTERNATIVA garanton shprehjen e lirë të sensibiliteteve politike që e përbëjnë atë. Ajo bazohet në respektin e paritetit gjinor në veprimtarinë e partisë dhe në pjesëmarrjet zgjedhore e ekzekutive. Partia ALTERNATIVA synon: – që shtetin e Maqedonisë së Veriut ta kthejë në shtet simetrik, ku shoqëria është kompatibile në raport me shtetin; – të ndërtojë sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional; – të ndërtojë një shtet demokratik; – avancimin e të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht; – të ofrojë zgjidhje të gjitha tensioneve dhe urrejtjeve ndëretnike dhe religjioze, duke i zhdukur të gjitha format e diskriminimeve në baza nacionale, religjioze, racore e gjinore të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut; – të ndërtojë shtetin ligjor me ndarje të qartë të pushteteve, garantimit të jetës, lirive dhe të drejtave të sanksionuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare; – të nxisë dhe zhvillojë ekonominë e tregut të lirë; – të garantojë të drejtën e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarëve për ta disponuar atë lirisht, trashëguar ose dëmshpërblyer me vlerë të plotë tregu; – të garantojë paprekshmërinë e privatësisë së individit, derisa nuk cenohet interesi publik; – avancimin e pozitës së gruas si e drejtë universale dhe e patjetërsueshme; – të zhdukë privilegjet dhe pabarazitë e të gjitha llojeve që bazën nuk e kanë në ligj; – të integrojë Maqedoninë e Veriut si anëtare dinjitoze në institucionet euroatlantike e në familjen e kombeve të përparuara evropiane; – të garantojë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të bashkëpunojë me institucionet evropiane dhe organizatat e tjera ndërkombëtarë për të siguruar paqen, lirinë, demokracinë, garancinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë rajonin dhe më gjerë; – respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të drejtave të bashkësive etnike të garantuara me Kushtetutë; – të krijojë një sistem të sigurisë shtetërore të qëndrueshëm, profesional dhe efikas, duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, vendet fqinje dhe me ato te rajonit, për të mundësuar një ambient sigurie të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. – të mbrojë interesat dhe të drejtat njerëzore të të gjithë qytetarëve, duke respektuar aktet e marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kërkuar standardet e pranuara botërisht për të gjithë etj. Politika e Partisë ALTERNATIVA përcaktohet dhe pasqyrohet në programin e saj, si dhe në dokumentet e tjera që miratohen në përputhje me Statutin nga organet e saj.