Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, këtë mëngjes priti në takim Kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta, i cili ndodhet për vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ministri Murtezani dhe kryetari Koshta u drejtuan së bashku për në Qeveri, ku u zhvillua takimi bilateral me Kryeministrin Hristijan Mickoski, me fokus të veçantë në avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Ministri Murtezani theksoi se gjatë bisedës me kryetarin Koshta ka marrë mesazhe të qarta mbështetëse për integrimin e vendit dhe rajonit në Bashkimin Evropian, duke e vlerësuar këtë vizitë si një sinjal të fuqishëm inkurajimi nga Brukseli.
“Në emër të Qeverisë, riafirmova qëndrimin tonë se integrimi evropian nuk është vetëm një qëllim strategjik, por edhe një angazhim i thellë ndaj vlerave evropiane”, u shpreh ministri Murtezani.