Rinia e Lidhjes Evropiane për Ndryshim sot para objektit të Ministrisë së Sistemit Politik që udhëhiqet nga Artan Grubi, me maska të funksionarëve të BDI-së, improvizuan një proces të zgjedhjes së kryetarit të Forumit Rinor të kësaj partie. Ata në mënyrë ironike akuzuan BDI-në për hapjen e kazinove në afërsi të shkollave e universiteteve. Ndërsa Përparim Bajrami, u shpall kryetar i ri i Forumit Rinor të Lotarisë.
“Të nderuara media, sidomos ju 10 portalet e katit 6 të zyrës time, Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare, e sidomos ju 33 organizatat e mia që do merrni nga 10.000 euro, jemi mbledh sot ta zgjedhim kryetarin e forumit rinor, të lutem Përparim Bajrami dil dhe prezanto programin tënd 4 vjeçar për kryetar të forumit rinor”, ironizoi njëri nga të rinjtë e LEN që barte maskën e Artan Grubit.
Ndërkaq i riu tjetër që ishte me maskë dhe në rolin e drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë Përparim Bajrami duke prezantuar programin u shpreh:
“Faleminderit shef, Unë Përparim Bajrami, Drejtor i Lotarisë së Maqedonisë, në programin tim për kryetar të Forumit Rinor të BDI-së, premtoj aparat të kazinos për çdo të ri, por nuk ndalemi këtu, secili i ri që do të luaj, dorën e parë e ka të garantuar nga ne.
Jam falenderues që e keni zgjedh Lotarinë e Maqedonisë të ja jepni forumit rinor, sepse e dimë që Agjencioni për Rini dhe Sport dhe institucionet e ngjashme nuk na interesojnë neve, nuk janë aspak profitabile dhe nuk mund të sigurojmë të ardhura të mjaftueshme.
Rinia jonë ka nevojë për loto dhe kazino. Ne premtojmë hapje të kazinove afër çdo universiteti, afër çdo shkolle të mesme, por prap nuk ndalemi këtu, në çdo shtëpi do e sjellim kazinon, në shkollat fillore do të shtojmë lëndë të re – bazat e pokerit.
Vizioni jonë, ashtu si e kemi edhe kryetarin tonë vizionar, jo vetëm që besojmë por edhe do të bëhet, Maqedonia do të bëhet Las Vegas!”
Rinia e Lidhjes Evropiane për Ndryshim edhe ditë më parë realizoi një protestë para qendrës tregtare Soravia me moton “Për ju Soravia, Lotaria, Arberia, Evrovia për ne vetëm Gjermania” ku u lanë lodra e gjësende të fëmijëve dhe familjarëve që kanë marrë rrugën e kurbetit, ndërsa nga ana tjetër pasuria e funksionarëve të BDI-së ka arritur në shuma milionëshe.