Jemi këtu sot për ta denoncuar krimin e radhës të këtij pushteti, që tashmë është publikuar edhe për opinionin e gjerë. Edhe sot fjalën e kemi për strukturën kriminale të BDI-së, në krye të së cilës qëndron Artan Grubi, ndërsa zhvillohet përmes personave të afërm me të në “Lotarinë Shtetërore”. Në fakt, informacioni i fundit, i raportuar nga mediat, është se kompania e një 19-vjeçari nga Likova do ta furnizojë “Lotarinë Shtetërore” me aparate për bixhoz. Edhe po të ishte lajm i faqeve të fantazisë, do të ishte vështirë i besueshëm.
Sidoqoftë, nëse deri dje dikush kishte dyshimin më të vogël se Artan Grubi qëndronte pas bizneseve të lojërave të fatit, të drejtuara nga BDI-ja, ja sot një konfirmim tjetër se pretendimet tona janë të vërteta. BDI-ja po i përdorë të rinjtë, gati të mitur, për zhvatjen e parasë publike përmes tenderëve. Para do kohe personazh ishte nipi 20-vjeçar i Ali Ahmetit në blerjen e qendrës “Soravia”, ndërsa sot është një 19 vjeçar nga Kumanova, që do të blejë aparate për lojëra fati.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, skandali shkon përtej. Kështu, qiranë astronomike, prej 2,6 milionë eurosh, për ambientet e “Lotarisë Shtetërore” e ka marrë një kompani menaxhere e së cilës është kushërira e Artan Grubit, ndërsa tenderët në “Lotarinë Shtetërore” i marrin kompanitë e përhershme, Arbëria Design and Media Group DOOEL Tetovë, të cilat janë të regjistruara në të njëjtën adresë. Ndërkaq se sa fitojnë ato, po e japim vetëm një shifër për informacion – vetëm këtë vit “Lotaria Shtetërore” ka ndarë 2 milionë euro, dyfish më shumë se vitin e kaluar, për tenderë për marketing dhe të ngjashme, ndërsa shumica e përfituesve janë kompani të afërta me BDI-në ose donatorë të kësaj partie në të kaluarën. Prandaj, kur i kundrojmë këto fakte trishtuese, nuk mund të mos konstatojmë se BDI-ja nuk është parti politike, por një oktapod krimi e biznesi. Madje, edhe agjendën eurointegruese e ka vetëm për mashtrim publik, sepse nuk mund të bëhet aderim në BE me skema kriminale.
Se kush janë ata dhe se sa janë të futur në krim, kjo tashmë nuk përbën lajm dhe nuk është diçka që ne po e zbulojmë. Bile, këtë nuk e fshehin as ata vetë. Megjithatë, Lidhja Europiane për Ndryshim, përveç këtij denoncimi publik, është përgatitur seriozisht që t’i ndëshkojë këta abuzues me pushtetin. Dhe, ky ndëshkim do të vijë në zgjedhjet e ardhshme, Por, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse herët a vonë për këtë kriminalitet do të ketë edhe përgjegjësi juridike.
Shkup, 23.11.2023