Kryetari Zeqirija Ibrahimi dhe krerët e VLEN-it në takim me Odën Ekonomike Veriperëndimore: fokus në zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e bizneseve

14 tetor 2025, Kryetari i Alternativës, Dr. Zeqirija Ibrahimi, së bashku me krerët e koalicionit VLEN, zhvilloi një takim të frytshëm me përfaqësues të Odës Ekonomike Veriperëndimore, ku u diskutua gjerësisht për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësimin e kushteve për bizneset vendore.

Në një atmosferë konstruktive, u trajtuan sfidat që prekin zonat industriale, si dhe nevoja për investime në infrastrukturë, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Dr. Ibrahimi theksoi se kandidatët e VLEN-it për kryetarë komunash kanë projekte konkrete që do të realizohen në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe me komunitetin e biznesit, duke synuar një zhvillim të balancuar ekonomik në të gjitha komunat.

Ai rikujtoi se VLEN, si pjesë e qeverisë, tashmë ka dëshmuar një qasje serioze dhe të përgjegjshme, ndërsa pas 19 tetorit, intensifikimi i projekteve zhvillimore do të sjellë rezultate të dukshme në jetën e përditshme të qytetarëve.