Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi vizitoi Shtëpinë e Shëndetit në Shkup

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi sot një vizitë pune në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup. Gjatë kësaj vizite, ai u prit nga drejtori i këtij institucioni shëndetësor, z. Samir Iseni, i cili e informoi për së afërmi rreth funksionimit, sfidave dhe përparimeve që janë bërë vitin e fundit në këtë institucion me rëndësi të veçantë për qytetarët e Shkupit.

Kryetari Gashi shprehu mirënjohjen dhe përgëzoi drejtorin Iseni për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe organizative të Shtëpisë së Shëndetit, si dhe në avancimin e shërbimeve që ofrohen për pacientët. Ai gjithashtu vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin profesional të stafit mjekësor dhe administrativ, të cilët, sipas tij, mbajnë barrën kryesore të kujdesit shëndetësor primar për qytetarët.