Kisha nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e shënimit të 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vigjilje të 22 nëntorit – Ditës së Alfabetit.
Përkujtuam sakrificën dhe angazhimin e shumë gjeneratave për arsimin në gjuhën shqipe, duke e ndjerë barrën e rëndë të përgjegjësisë që këtë kauzë ta vazhdojmë dhe avancojmë më tutje, në përputhje me sfidat dhe mundësitë e kohës.
Gjatë ceremonisë, pata rastin që bashkë me miqtë nga koalicioni Lidhja Europiane për Ndryshim, Bilall Kasamin e Izet Mexhitin, të takojmë shumë miq e faktorë nga politika shqiptare në rajon. Me ta diskutuam rëndësinë që gjuha shqipe të njihet si e tillë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe të hiqet termi poshtërues “gjuha e 20%-shit”. Gjithashtu theksuam nevojën që korniza ligjore aktuale për zbatimin zyrtar të gjuhës shqipe të zbatohet me përpikëri dhe të menjanohen çalimet dhe pengesat e deritanishme.