Kryetari Afrim Gashi priti në selinë e Alternativës U.D. Ambasador i Republikës Federale Gjermane në Shkup, Otto Graf.

Kryetari Gashi e priti U.D. Ambasador i Gjermanisë në Shkup
Sot, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga nënkryetarja Safije Sadiki – Shaini, e pritën në selinë e Alternativës U.D. Ambasador i Republikës Federale Gjermane në Shkup, Otto Graf.
Temë e këtij takimi ka qenë situata aktuale politike në vend dhe vendimi i Alternativës për të dalë nga qeveria. Me këtë rast kryetari Gashi e ka njoftuar Ambasadorin Gjerman se pasi që partneri i koalicionit, LSDM, nuk e ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar mes tij dhe ish kryetarit të kësaj partie, të miratuar edhe nga kryeministri aktual, ka përfunduar edhe arsyeja që Alternativa të vazhdojë të mbetet pjesë e një qeverie që nuk i respekton marrëveshjet me partnerët e saj. Përveç kësaj, kryetari Gashi ka shtuar se ky veprim antieuropian i LSDM-së do të ketë pasoja edhe në procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, sepse nuk mund të synohet perspektiva europiane me standarde antieuropiane dhe me aktorë që vetëm për pamja duken europianë. “Prandaj, që ta dëshmojnë se a janë për integrim të njëmendtë europian, gjithsesi me qëllim që të rritet pragu institucional i luftës kundër korrupsionit, si një brejtës i shtetit, kusht për votimin e ndryshimeve kushtetuese e kemi vënë votimin e amandamentit të Alternativës për luftë kundër korrupsionit”, ka thënë kryetari Gashi në këtë takim.
U.D. Ambasador i Gjermanisë, nga ana e tij, ka shprehur mirëkuptim për vendimin e Alternativës dhe e ka inkurajuar që të mbetet në rrugën e integrimit europian, si e vetmja udhë që shpie në mirëqenie dhe perspektivë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *