Ish-ministri i Shëndetësisë Bekim Sali i përgjigjet ministrit aktual të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti

Kritikat e fundit rreth incidentit tragjik në ambulancën modulare në Tetovë kërkojnë përgjigje të qartë dhe të përgjegjshme nga ministri aktual i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Ai, në vend që të merret me çështjen thelbësore se përse i ka paguar firmës “Brako” për spitalin modular fatkeq në Tetovë, e orienton vëmendjen në çështje periferike, me përpjekje të dëshpëruar për ta hequr përgjegjësinë nga vetja.

Është e vërtetë se unë si ish ministër i Shëndetësisë bëra pranimin dhe dorëzimin e ambulancave modulare në Gjorçe Petrov, Butel dhe Lisiçë, mirëpo këto ambulanca iu nënshtruan proceseve rigoroze të kontrollit të cilësisë nën mbikëqyrjen time për t’i mbrojtur ato. Por, informacioni kryesor për të dhe për opinionin është se unë nuk kam bërë kurrfarë pagesash për firmën “Brako” për shkak të procedurave hetimore aktuale nga prokuroria dhe konstatimit të parregullsive nga revizioni i brendshëm. Revizioni ishte gati disa javë para shkarkimit tim, ndërsa epilogu gjyqësor erdhi gjatë kohës sa është ministër Fatmir Mexhiti. Siç pohon edhe ai vetë, pranimin dhe dorëzimin përfundimtar deri te përdoruesi i fundit, Shtëpia e Shëndetit Shkup, në objektin e lartpërmendur e kam mundësuar një ditë përpara shkarkimit tim. Nëse nuk isha i sigurt për vendimin, kisha mundësi ta shmangia. Prandaj, e falënderoj atë për informacionin e publikuar!

Megjithatë, shqetësimi i opinionit nuk është në atë që kërkon Mexhiti, por në vendimin e tij për të vazhduar pagesën ndaj kompanisë së përmendur, pavarësisht vijave të kuqe. A do të mund të përgjigjet publikisht Mexhiti se si duke e pasur përpara vetes raportin e revizionit, që dëshmon për parregullsitë dhe procesin gjyqësor që po vijon, ai ka arritur të motivohet për të kërkuar pagesë për atë firmë pa u sqaruar këto rrethana?! Jo vetëm që është me rëndësi thelbësore të kuptohet pse janë bërë këto pagesa për ambulancat modulare në Tetovë, por edhe nëse ai dhe partia e tij kanë përfituar në mënyrë joadekuate nga transaksionet e tilla?! Transparenca dhe llogaridhënia në këtë çështje janë imperativ për të siguruar besimin e opinionit në aktivitetet e qeverisë.

Në serinë e kontradiktave të Mexhitit, ai flet edhe për një borxh të caktuar të cilin duhet ta paguajnë qytetarët. Sipas pohimeve të tij, si rezultat i pagesës së parealizuar, qytetarët i kanë mbetur borxh “Brakos”. Po ky ministër, që pardje – si reagim ndaj hulumtimit të IRL-së – mbrohej se nuk ka paguar asnjë denarë, ndërsa është në muajin e 7-të të mandatit.

Më tej, meqë ministri mban evidencë për punën time, dua t’i sugjeroj se përkushtimi im për përmirësimin e sektorit shëndetësor është i dallueshëm përmes arritjeve konkrete. Spitali Klinik në Tetovë dhe Universiteti i Tetovës mund t’i konfirmojnë hapat që i kemi ndërmarrë gjatë mandatit tim. Kemi iniciuar dhe realizuar projekte që nga pajisja e të gjitha spitaleve, deri te korrigjimi i listës pozitive të barnave pas më shumë se një dekade neglizhencë. Këto projekte vetvetiu flasin mjaft për përkushtimin tonë për avancimin e sistemit shëndetësor dhe për përmirësimin e shëndetit të qytetarëve. Pas kësaj shtrohet pyetja nëse Fatmir Mexhiti ka të paktën 2 projekte në portofolin e tij, ama personalisht të tij, apo akoma për paaftësinë e tij fajin e ka “ish-ministri”?!

Ministër, lërini depot veledrogeritë dhe sistemin Soravia dhe merruni pak me punë! Besoj, ashtu do të mund të arrini diçka.

Por, gjëja më e rëndësishme, ministër, është t’i ktheheni çështjes qendrore, në vend që ta anashkaloni çështjen – humbja tragjike e jetëve dhe ndarja e fondeve publike nuk kërkojnë asgjë më pak se një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të drejtpërdrejtë.

 

Bekim Sali

Nënkryetar i Alternativës

16.08.2023


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *