Bekim Sali zgjidhet kryetar i ri i Alternativës

Gjatë ditës së djeshme u mbajt Kuvendi Qëndror i Alternativës në të cilën u diskutuan një sërë temash, midis të cilave edhe dorëheqja e parevokueshme e kryetarit të tanishëm të Alternativës, Prof. Dr. Zeqirija Ibrahimi si dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Alternativës Dr.Bekim Sali.

Kryetari i tanishëm, Ibrahimi, para të pranishmëve elaboroi arsyet se pse ai është duke dhënë dorëheqje të parevokueshme duke nënvizuar frymën e re politike e cila duhet që të mbisundoje në Alternativë.

“ Meqë secila rrugë e ka një fillim dhe një fund, unë gjykoj se njërën nga shtyllat e misionit politik tashmë e kemi kryer – e kemi hequr nga skena një klasë politike që e kishte degraduar ndjeshëm përfaqësimin politik të shqiptarëve në RMV, duke e reduktuar në terma të dobisë ekonomike për një klan të ngushtë, disa familje ose disa eksponentë të saj, që në jo pak raste fuqinë politike e shfrytëzonin edhe për zhvatje, për korrupsion, për krim, madje edhe për vese të dënueshme për moralin publik. ”, nënvizoi midis të tjerash Ibrahimi.

Në anën tjetër, Bekim Sali theksoi se këtë detyrë po e pranon me nder dhe përgjegjësi për ta trasuar rrugën që e kanë nisur Afrim Gashi e Zeqirija Ibrahimi.

“Unë sot nuk e marrë drejtimin e Alternativës si pasardhës i tij, por si vazhdues i një rruge që profesori e ka shtruar me mund, dije dhe ndershmëri. Premtoj se do të mbroj moralin politik që ai ka ndërtuar, do të ruaj frymën e tij, dhe do ta çoj përpara projektin tonë politik me përgjegjësi të plotë”, nënvizoi midis tjerash Sali.

Kuvendarët falënderuan kryetarin e deritanishëm, Zeqirija Ibrahimi, për kontributin si dhe uruan kryetarin e ri të Alternativës, Bekim Sali.