Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Wahl, ishte në selinë e Alternativës

Sot, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Wahl, ishte në selinë e Alternativës, ku u prit nga kryetari Afrim Gashi dhe nënkryetarja Safije Sadiki Shaini.
Tema e këtij takimi ishte aktualiteti politik, si dhe rrethanat e krijuara me rritjen e shumicës dhe qasjen e ish partnerëve qeveritarë.
Me këtë rast, kryetari Gashi e njoftoi Ambasadorin se Alternativa tashmë do të jetë parti opozitare, kjo si rezultat i vendimit të mbrëmshën të Kuvendit Qendror. Përveç kësaj, kryetari Gashi foli edhe për qasjen jokorrekte që ka pasur LSDM-ja ndaj Alternativës, edhe pse të gjithë e kanë vlerësuar faktin se vitin e kaluar ishte pikërisht Alternativa ajo që i dha jetë kësaj qeverie dhe kështu e hapi rrugën për hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Europian.
Shqetësimi ynë – tha kryetari Gashi – është se ky veprim i LSDM-së, e cila e ka thyer marrëveshjen për bashkëqeverisje, ka vendosur edhe një praktikë të keqe që do ketë pasoja jo vetëm për të si parti, por edhe për të ardhmen e një vendi që synon rrugën eurointegruese.
Ambasadori Kilian Wahl nga ana e tij, e përshëndeti Alternativën për rolin konstruktiv që ka pasur në këtë kohë dhe e inkurajoi që të mbetet në rrugën europiane.
Takimet e këtilla janë të rregullta dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *