9 Maji – Dita e Europës vjen çdo vit për të na ndërmendur jo vetëm orientimin tonë strategjik si komb e si shtet, por edhe për të na i kujtuar të gjitha përpjekjet vetëmohuese e gjigande të ideologëve të Europës për ta projektuar atë që sot njihet si Bashkimi Europian. Vizioni i ministrit të jashtëm të Francës, Robert Schuman, për institucione mbikombëtare europiane do të bëhet realitet shumë vite më vonë, por kjo do të jetë shtysë që – në emër të një qytetërimi të ri – kontinenti i vjetër të bashkohet dhe të jetë model për gjithë botën.
Si i tillë, Bashkimi Europian është sot synim edhe i vendeve tona. Ballkani Perëndimor, përkundër vështirësive që kanë shkaktuar vonesa të gjata, vazhdon të ecë drejt BE-së, i bindur se ky union nuk është një bashkim shtetesh, por më shumë se kaq është bashkim vlerash, siç janë paqja, liria, demokracia, barazia e mirëqenia sociale.
Urime 9 Maji – Dita e Europës!