Elektranat e Maqedonisë së Veriut kanë marrë borxh të ri prej 100 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Paaftësia dhe papërgjegjësia e ekipit menaxherial, e solli EMV-në në situatë që të zhytet në borxhe për ta vazhduar funksionimin dhe për t’i paguar pagat.
EMV-ja vazhdimisht është cak i kritikave për furnizime jotransparente dhe marrëveshje në katër sy, që domosdo ngre pikëpyetjen nëse korrupsioni i menaxhmentit e solli kompaninë në pikë që duhet të mbulojë humbjet me borxhe? A do të shpërdorohen edhe këto 100 milionë euro, sikur qindra milionë të tjerë në të kaluarën?
Ajo që na shqetëson më shumë është fakti se për ta financuar kredinë, EMV-ja do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e rënduar edhe më tej buxhetin familjar.
I bëjmë thirrje KRRE-së që të mos lejojë rritjen e çmimit për EMV-në, sepse qytetarët nuk duhet të paguajnë për paaftësinë, papërgjegjësinë dhe kapriçot e udhëheqësisë së EMV-së.
EMV-ja ishte shkaktari kryesor i krizës energjetike të periudhës së fundit në Maqedoninë e Veriut, duke mos arritur të prodhojë energji të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të vendit. Ky menaxhim i papërgjegjshëm duhet të dënohet, e jo të shpërblehet.
Me ndërrimin e pushtetit dhe ndryshimin që do të vjen në zgjedhjet e ardhshme, do të marrë fund edhe diletantizmi në institucionet publike. Qytetarët do të mbrohen dhe nuk do të lejojmë që familjet tona të paguajnë faturën e korrupsionit, shpërdorimit, paaftësisë dhe papërgjegjësisë.
Shkup, 23.08.2023