AlternAtivA: “Mbreti është lakuriq”, të hetohen indikacionet për korrupsion të familjes Ahmeti

Për çdo ditë shohim indikacione të reja për krimin dhe korrupsionin e figurave të larta të BDI-së dhe familjarëve të tyre. Organet hetuese vazhdojnë të heshtin ndaj dyshimeve të forta për keqpërdorimin e mundshëm të miliona eurove nga familjarë të krerëve të BDI-së, përfshirë edhe familjarët e Ali Ahmetit.
Kërkojmë nga organet e drejtësisë që t’i hetojnë të gjitha indikacionet dhe të vërtetojnë prejardhjen e pasurisë të kësaj dinastie, të krijuar mbi kurrizin e halleve të shqiptarëve.
Duket se BDI-ja është stërvitur mirë në kohën e regjimit të Gruevskit. Në atë kohë ishin Gruevski dhe familja, tani janë Ahmeti dhe familja, Grubi dhe familja, Merko dhe familja… Sikur të ishte BDI-ja degë e Cosa Nostra-s, e jo parti politike.
U bë e qartë se çfarë paska qenë ulërima e kryesisë së BDI-së për veting. Ky paska qenë mashtrimi politik i shekullit. Që të fshihet pasurimi i familjeve të BDI-së, duhej të hetoheshte prona e të gjithë të tjerëve përveç prona e tyre.
Këto indikacione për korrupsion, në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe të NATO-s, janë konfirmimi më i fuqishëm se propozim amendamenti kushtetues i AlternAtivA-s e godet në palcë korrupsionin politik të nivelit të lartë.
Kur të mundësojmë që veprat penale të kryera nga personat e zgjedhur dhe të emëruar të mos vjetërohen kurrë, atëherë do të jemi të sigurt se nuk ka shpëtim as për ata që përkohësisht mund të ndikojnë mbi vendimet e organeve hetuese.
Një gjë është e sigurt: “Mbreti është lakuriq”, ndërsa shqiptarët tashmë flasin zëshëm për këtë gjë.
AlternAtivA – Shkup
04.07.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *