Si çdo perandori tjetër në histori, ashtu edhe perandoria politike e Ali Ahmetit, e ndërtuar me shfrytëzimin 20-vjeçar të të gjitha fryteve të pushtetit, po shpërthen në të gjitha shtresat. Thjesht, makina u nis teposhtë dhe nuk ka të ndalur. Fundi është afër. Rrëfimeve mitike “do ta shihni forcën e BDI-së në zgjedhje” i besojnë vetëm ata që kanë dobi të drejtpërdrejtë dhe të madhe nga rrethi i parë i pushtetit. Skandali i fundit me rendin e fshehtë të ditës në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor është dëshmi e panikut në BDI nga inkurajimi dhe kthjellimi i shqiptarëve. Atomet e fundit përdoren për të fshehur skandalet me çdo kusht. Mediat janë penguar ta bëjnë punën e tyre vetëm sepse është dashur të diskutohet për përgjegjësinë eventuale të kryetarit të Gjykatës Administrative, i cili “rastësisht” është nga dega kadrovike e Ahmetit në Zajaz. Pushtetarët e BDI-së duhet t’u përgjigjen shqiptarëve që i gënjejnë këto 15 vitet e fundit nga e ashtuquajtura “Marrëveshja e Majit”: Pse opinioni të mos e dijë se Këshilli Gjyqësor po diskuton për përgjegjësinë eventuale për kuadrin e BDI-së në gjyqësor? Nëse është ashtu lëndët e kujt dhe me urdhër të kujt i ka shpërndarë personalisht kryetari i Gjykatës Administrative? Sa reagime të drejtpërdrejta negative nga aleatët tanë ndërkombëtarë janë të domosdoshme, që BDI-ja t’i largojë duart e saj të pandershme nga gjyqësia? Me çfarë të drejte Ahmeti, Grubi dhe Osmani i kërkojnë opozitës votimin e pakushtëzuar të ndryshimeve kushtetuese kur ata janë frenuesit kryesorë të perspektivës së BE-së për Maqedoninë e Veriut? Në fund, a e ka parë apo a e ka dëgjuar dikush ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, duke e komentuar për kaosin në resorin e tij? Alo Taravari, a dëgjohemi? Shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm se narrativat e fitoreve të mëdha të BDI-së janë alibia më efikase për të mbushur xhepat e familjeve të Ahmetit, Grubit, Merkos dhe të gjithë €uro të dëgjueshmëve të tjerë të dinastisë së tyre partiake.
AlternAtivA – Shkup
05.07.2023