Ashtu siç jeni të informuar, ne – deputetët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike – më 14 shtator 2023 kemi dorëzuar interpelancë për punën e Prokurorit të Përgjithshëm, Lubomir Joveski. Arsyeja e kësaj interpelance është dyshimi ynë i bazuar se ai ka pasur rol në devijimin e procesit gjyqësor që është zhvilluar në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, me ç’rast mbetën të vdekur 14 pacientë.
Dhe, sipas Rregullores së Kuvendit të RMV-së, më saktë nenit 47 të saj, Kryetari i Kuvendit është i detyruar që në afat prej 15 ditësh që nga dorëzimi i interpelancës, ta vendosë atë në rend dite në seancën e parë të ardhshme plenare. Megjithatë, ja u bënë 15 ditë dhe kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, nuk ka ftuar seancë plenare për këtë interpelancë. Kjo na bën të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Lubomir Joveski, e që mund të ketë lidhje me ndonjë aferë korruptive, që kryetari i Kuvendit e mbron Kryeprokurorin edhe duke e shkelur Rregulloren e Kuvendit të RMV-së. Se me çfarë e mban të kapur Prokurori i Përgjithshëm kryetarin e Kuvendit ose dikë nga partia e tij, këtë duhet ta shpjegojnë ata, por se z. Xhaferi po e mbron Lubomir Joveskin, që në opinion shihet si fajtori kryesor për devijimin e procesit gjyqësor të spitalit modular në Tetovë, për këtë nuk më ka asnjë dyshim. Nëse ai nuk e fut në rend dite këtë interpelancë dhe as nuk deklarohet se pse e shkelë Rregulloren e Kuvendit, duke i bërë kështu shërbim Lubomir Joveskit, ne kemi të drejtë të dyshojmë se krimbi i shtetit të kapur është më i thellë se deri te Prokuroria e Përgjithshme. Kambana troket edhe te kreu i Kuvendit.
E kur jemi këtu nuk mund të mos theksojmë se, për fat të keq, as deputetët e Aleancës për Shqiptarët, si edhe ata të BDI-së, nuk u prononcuan për këtë interpelancë, madje edhe pas thirrjes sonë publike për të na mbështetur. Kjo përveç që i vë në bankën e fajtorëve, sepse po e mbrojnë një funksionar që ka frikë të përballet me deputetët që e kanë votuar, edhe kur emri i tij lakohet për abuzim me detyrën, këta deputetë lënë shumë hapësirë për dyshim se edhe ata ose krerët e partive të tyre janë të kapur në sirtarët e Joveskit. Çfarë i pengon deputetët e BDI-së dhe të ASH-së që të japin mbështetje për interpelancën ndaj Prokurorit Publik nëse në anën tjetër janë 14 viktima të djegura në zjarr dhe asnjë fajtor nuk është në burg? Me kë janë ata, me viktimat e djegura apo me Kryeprokurorin?
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë ta bëjmë betejën me të gjitha mjetet demokratike, ndërsa që sot e tutje opinioni duhet ta dijë saktë dhe drejt se argatë të Lubomir Joveskit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë Talat Xhaferi bashkë me deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët. Ata janë emrat e përveçëm që nuk lejojnë të zbardhet e vërteta e djegies së 14 pacientëve në spitalin modular në Tetovë. U qoftë për nder!
Shkup, 04.10.2023