AlternAtivA: Koncepti i ri i arsimit bie ndesh me interesat tona autoktone

Pas informacionit se tashmë është në realizim e sipër modeli i ri i arsimit, sipas të cilit do të hiqet lënda e Historisë, Gjeografisë dhe Etika e religjioneve, ndërsa do të ketë edhe fuzionim të disa lëndëve të tjera, AlternAtivA gjykon se ky është një koncept i dëmshëm dhe i padobishëm për shtetin dhe shoqërinë tonë. Derisa ishim në qeveri, ne e kemi penguar implementimin e këtij modeli, por ja që partnerët e rinj qeveritarë, si dhe ministri i Arsimit – si vëzhgues të përqindjeve të korridoreve dhe indiferentë për edukimin e brezave të rinj – as që çajnë kokë për këtë temë.
Në të vërtetë, dëshirojmë të sqarojmë se heqja e lëndës së Historisë e grushton keq kujtesën kolektive institucionale arsimore për nxënësit, por edhe mungesa e Gjeografisë jo më pak do ta dëmtojë formimin e tyre si intelektualë të ardhshëm. Një i ri që nuk do ta dijë historinë e kombit dhe të atdheut të tij do të jetë i përshtatshëm për standardet e një shoqërie pa identitete dhe do të jetë i zhveshur nga tabani i tij autokton dhe nga identiteti i tij kombëtar. Ndërkaq, duke e hequr lëndën Etika e religjioneve dhe duke e vendosur lëndën Edukata seksuale, synohet që morali i të rinjve të ardhshëm të mos jetë më si i prindërve dhe gjyshërve të tyre, por të kemi një etikë që bie ndesh me krejt trashëgiminë tonë etike historike.
Duke qenë kështu, AlternAtivA do ta luftojë këtë model arsimi me të gjitha mjetet politike, ndërsa në kohën që do të jemi në pushtet, do ta revidojmë këtë vendim dhe arsimin do ta kthejmë konform interesave autoktone të qytetarëve tanë, gjithnjë në frymë të zhvillimit e përparimit të përgjithshëm shoqëror.
Me këtë rast i bëjmë thirrje ministrit të Arsimit që ta tërheqë këtë propozim, sepse do të përballet me reagimin tonë më të fuqishëm institucional, ndërsa u bëjmë thirrje edhe të gjitha organizatave të tjera që merren me temën e arsimit, si edhe bashkësive fetare, që të na bashkohen në këtë agjendë dhe të mos lejojmë që dikush t’i trajtojë fëmijët tanë si minj të bardhë për eksperimente sociale sipas tekave të tij ideologjike. Arsimi është punë tejet serioze për t’u lënë në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm dhe joseriozë.
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 17.04.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *