AlternAtivA: Drejtori i Burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri, është kryeheroi i zbulimit të ikjes nga burgu i Idrizovës

Aksioni i djeshëm në burgun e Idrizovës, që rezultoi me zbulimin e një tuneli që ishte gërmuar një kohë të gjatë për të ikur të burgosurit, ka ardhur pikërisht si rezultat i angazhimit të drejtorit të Alternativës aty, Shpend Tahiri. Prandaj, të thuhet se drejtori i burgut të Idrizovës është shkarkuar si ndëshkim për këtë jo vetëm që është tejet e ulët, por është edhe mosmirënjohje ndaj njeriut që deri në ditën e fundit të punës së tij ka punuar pa asnjë aferë dhe pa asnjë akuzë nga askush për korrektësinë ndaj punës së tij. Për fat të keq, më shumë mirënjohje për punën e tij shfaqin miqtë tanë ndërkombëtarë sesa drejtuesit e institucioneve tona shtetërore.
Sidoqoftë, pikërisht falë menaxhimit të ndërgjegjshëm të institucionit të burgut nga drejtori Shpend Tahiri janë zbuluar, janë penguar dhe janë ndëshkuar pa fund përpjekje për të ikur, për të futur narkotikë në burg, ndërsa zbulimi i tunelit është vula e suksesit të tij. Në të vërtetë, ky aksion zbulues është përgatitur tashmë një kohë më të gjatë dhe do të regjistrohet si suksesi historik i një drejtori të burgut të Idrizovës.
Është për të ardhur keq që Ministria e Punëve të Brendshme mburret me punën e dikujt që duke e rrezikuar edhe jetën dhe familjen e tij ka punuar me dinjitetin dhe ndërgjegjen më të lartë profesionale në institucionin mbase më të vështirë për t’u menaxhuar në shtet.
Për informacion të opinionit, Shpend Tahiri është shkarkuar vetëm sepse ka qenë kuadër i Alternativës. Por, siç duket, narciozoidët e dinastisë së BDI dhe besëprerët e LSDM-së, janë alergjikë ndaj sukseseve të dikujt tjetër.
Por, ne duam t’ua kujtojmë se nuk i ka fajet Shpendi ynë që këto dy parti po i shijojnë ditët e fundit të pushtetit të tyre dhe kjo gjendje në panik i bën të reagojnë në dëm të interesave shtetërore. Një film i parë qëmoti prej tyre.
AlternAtivA – Shkup
22.03.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *