Në këtë takim mjaft produktiv, riafirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkaq theksuam se çdo ditë e më shumë rrethanat gjeo-politike, po na thërrasin që të thellojmë raportet miqësore, në mënyrë që të sigurojmë paqe në rajon. Bashkëpunimi korrekt në korniza të NATO-s mbetet një faktor qenësor i objektivave tona në këtë drejtim.
Diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë reformat që duhet të ndërmarrim dhe resurset që mund të shfrytëzojmë për të realizuar aspiratat tona drejt integerimit në Bashkimin Europian, për çka u pajtuam se mbetet prioritet kyç dhe alternativë e vetme për të dyja vendet.
Mes tjerash, informova ambasadorin që me përbërjen e re parlamentare, është formuar grupi parlamentar i miqësisë me Malin e Zi, ndërsa nga ana tjetër ambasadori më siguroi që ekziston vullnet për të formuar një grup të tillë në parlamentin e Malit të Zi, për çka u shprehëm optimist që do të mundësojë intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve.
I urova ambasadorit suksese në detyrën e re dhe shprehëm gatishmërinë që takimet tona të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në nivele të ndryshme institucionale.