Me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsi, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, së bashku me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, ka realizuar një sërë takimesh në qytetin e Kumanovës.
Adresa e parë e takimeve ishte kolektivi i punëtorëve të arsimit në Shkollën Sillore “Bajram Shabani”, ku kryetari Afrim Gashi u prit nga drejtoresha e shkollës, Bergjyle Saliu, së bashku me ekipin e saj.
Gashi ua uroi festën e 7 Marsit duke iu dëhsiruar përmirësimin e gjendjes së arsimit shqip, si në infrastrukturë, objekte shkollore, por edhe në ngritjen e pagave dhe rritjen e standardit të të punësuarve. Ai i dëgjoi problemet dhe sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe premtoi se në qeverinë e ardhshme, ku do të jetë pjesë edhe Alternativa, gjendja e arsimit shqip në qytetin e Kumanovës patjetër duhet të përmirësohet .
Pas kësaj, kryetari Gashi e vizitoi edhe objektin e shkollës së parë shqipe në Kumanovë, objektin e vjetër të Shkollës Fillore “Bajram Shabani”, e cila simbolizon sakrificën e gjeneratave të kumanovarëve për arsimimin dhe shkollimin në gjuhën shqipe.
Pas kësaj, Afrim Gashi, së bashku me ekipin e tij, si dhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, e vizituan gjimnazin “Sami Frashri”, ku u pritën nga drejtori i shkollës Nagri Rexhepi dhe ekipi i tij. Me këtë rast para kryetarit Gashi u prezantua projekt-ideja e përgatitur nga projektuesi Skender Osmani për objektin e ri të gjimnazit “Sami Frashri”, për të cilin Alternativa – përmes pjesëmarrjes në pushtetin lokal – ka dhënë kontribut të çmueshëm në të gjitha fazat e realizimit. Afrim Gashi premtoi se ky projekt do të jetë vetëm fillimi i përmirësimit të kushteve për arsimin e mesëm në qytetin e Kumanovës dhe se ai si dhe partia Alternativa edhe në të ardhmen do të kujdesen për të.
Gashi vizitoi edhe drejtorinë e shkollës së mesme teknike “Nace Bugjoni”, paralelet në gjuhën shqipe në Kumanovë, ku u prit nga drejtori, Ragmi Aliu, dhe ekipi i tij.
Vizitën në qytetin e Kumanovës kryetari Afrim Gashi e përfundoi me ajkën e arsimit shqip, pishtarët e arsimit, veteranët, të cilët kanë përcjellë gjeneratë pas gjenerate kumanovarë të shkolluar dhe edukuar, të cilat si kuadro tashmë japin kontribut të rëndësishëm në jetën shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gashi ishte pafundësisht mirënjohës për sakrificat e tyre, si dhe për rrugëtimin që e kanë kaluar drejt edukimit të brezave, ndërsa në fund të takimit në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre ua ndau edhe nga një dhuratë simbolike.
“Arsimimi në gjuhën amtare ishte ideali i tyre, por ai është edhe ideali ynë.”, u shpreh në fund të takimit Afrim Gashi.